Pas sulmit të tmerrshëm, që shënoi ditën më të përgjakshme në historinë 75 vjeçare të shtetit të Izraelit, zoti Netanyahu vazhdimisht ka shmangur përgjegjësinë.
Ai ka fajësuar të tjerët dhe kritikët thonë se kjo dëshmon se ai është një udhëheqës i preokupuar më shumë për mbijetesën e tij politike, sesa për të udhëhequr dhe ngushëlluar një popull të traumatizuar.
“Netanyahu po bën një bejetë personale për të mbijetuar dhe kjo për të ka më shumë përparësi se lufta e Izraelit kundër Hamasit”, tha gazetari dhe autori i biografisë së zotit Netanyahu, Ashnel Pfeffer.
“Si pjesë të kësaj beteje, ai është i gatshëm t’i dëmtojë ata që po udhëheqin aktualisht ushtrinë dhe shërbimet e zbulimit të Izraelit”.
Kur qindra militantë të armatosur të Hamasit thyen sistemin e sigurisë të Izraelit dhe sulmuan vendbanimet izraelite, forcat e sigurisë së Izraelit u zunë në befasi. Rreth 1,400 njerëz u vranë para se ushtarët të mbërrinin në vendin e ngjarjes.
Lufta ka lënë mbi 9,000 palestinezë të vrarë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, dhe ka shkatërruar shumë pjesë të Gazës.
Sulmi ka shembur edhe besimin e gjerë që kishte ushtria, shërbimet e zbulimit dhe udhëheqësit politik, se Hamasi nuk ishte i interesuar për një konflikt të ri dhe se fuqia ushtarake e Izraelit mund ta parandalonte grupin militant.
Udhëheqësit kryesorë të sigurisë në Izrael, përfshirë shefin e shtabit, ministrin e mbrojtjes dhe kreun e agjencisë së brendshme të zbulimit të njohur si “Shin Bet”, morën përgjegjësi për gabimin trashanik disa ditë pas sulmit.
Megjithatë, zoti Netanyahu nuk ka marrë përgjegjësi për gabimet që çuan deri tek sulmi i përgjakshëm, pavarësisht faktit se ka shërbyer si kryeministër, në 13 nga 14 vitet e fundit. Ai thotë se ka kohë për hetime – pas luftës./VOA
Artikulli i plotë këtu.