“Nuk ka kthim”! Kjo ishte kryefjala dhe vendimi që doli nga mbledhja e grupit të PD-së mesditën e sotme pas kaosit dhe tymueseve në Parlament. Sali Berisha akuzoi se Garda ishte e armatosur gjatë seancës së sotme. Gjithashtu “shigjetoi” praninë e prokurorit të SPAK-ut në Parlament që e cilësoi gjithçka që ndodhi si vendngjarje.
“Kërkojmë respektimin e të drejtave tona Kushtetuese. Opozita nuk mund të pranojë që të qëndrojë në parlament si fasadë pluralizmi e Edi Ramës. Kanë dërguar SKAP-in…A e dini ju që SKAP-i është në parlament, që nuk ka asnjë vepër penale. Një organizatë e vërtetë kriminale që komandohet nga Rama është sot në sallën e parlamentit.
A ndodhi një krim për SKAP-in aty? Më thoni. Kjo dëshmon se është një vegël e verbër e Ramës. Brenda parlamentit ndodhet një prokuror i SKAP-it. Personi që fizikisht u shty dhe u kap me Salianjin, e detyroi që ta shtynte dhe ai kishte armën. Por ne nuk stepemi. Ne në mbledhje shprehëm vendosmërinë për të vazhduar një betejë pa kthim” tha ai.