Në orën 10:00 të ditës së sotme Sali Berisha duhet të ishte përpara oficeres së policisë gjyqësore Adelajda Metaj për shkak të dy masave të sigurisë që janë vendosur kundër tij, detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë vendit për dosjen “Partizani”.
Kjo procedurë duhet të ndodhë cdo të hënë të parë dhe të tretë të muajit. Ish-kryeministri Berisha në hyrje të Kryesisë së Kuvendit deklaroi prerë se nuk shkon.
Tha se nuk ka marrë njoftim. Ai i qëndroi versionit të tij që më parë SPAK duhet të kërkojë heqjen e imunitetit në parlament.
“Së pari, përveç medieve, nuk kam asnjë njoftim!
Së dyti, jam i gatshëm të shkoj në çdo kohë në SPAK për t’u përgjigjur çdo pyetje.
Nuk pranoj kurrë sanksionet antikushtetuese të Edi Ramës dhe bandës së tij.
Çdo qytetar duhet ta dijë, se unë sa herë jam thirrur në prokurori, jam paraqitur gjatë jetës sime.
Nuk kam refuzuar kurrë.
Por unë, jo në mbrojtje time, por në mbrojtje të t drejtave më elementare të çdo qytetari, nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh, që funksionojnë ose si grup i strukturuar kriminal, ose në forma të tjera në organet e drejtësisë, të shkelë Kushtetutën.
Ai vendim duhet të shkojë në parlament, se aty e kam qendrën e punësimit se në parti politike nuk vjen dot.
Por atje nuk e dërgojnë dot se ai vendim është shkelje flagrante e Kushtetutës.
Nëse për një deputet shkelet Kushtetuta, imagjino se çfarë bëhet me një qytetar të thjeshtë.
Dhe Edi Rama kërkon të vendosë gjer në fund pushtetin e tij personal.
Unë u them demokratëve dhe qytetarëve se ne qëndrimet e mia nuk ka asnjë gjë personale, përveç mbrojtjes së interesave jetike të tyre, duke mbrojtur Kushtetutën.
Kushtetuta ka përcaktimet e veta.
E kam thënë dhe e them, në vitin 2012 unë dërgova ligjin për t’i hequr çdo lloj mbrojtje deputetit. Edi Rama refuzoi në mënyrë kategorike këtë ligj, por u kalua e drejta e hetimit.
Unë që nesër jam i gatshëm të votoj përsëri ligjin që kam dërguar në vitin 2012.
Por përderisa Kushtetuta është në fuqi, nuk ka bandit në Shqipëri sa në botë që të më imponojë mua të shkel Kushtetutën” tha ai.
Por çfarë ndodh nëse nuk paraqitet?
SPAK do ta njoftojë edhe njëherë për t’u paraqitur javën tjetër. Nëse nuk paraqitet, SPAK mund të mos marrë asnjë veprim tjetër kundër tij duke vazhduar procesin në këtë gjendje me dy masa sigurie, por mund të vendosë shoqërimin me forcë ose një tjetër masë shtrënguese më të fortë. Në rastin konkret do të ishte arrest shtëpie, pasi dy të lehtat janë ezauruar. Por për këtë duhet t’i drejtohet më parë parlamentit.