Artan Tafani, i njohur si i penduari i drejtësisë, ka rrëfyer në Gjykatën e Krimeve të Rënda detaje nga vendosja e tritolit në një biznes të reperit Noizy, pjesë e hetimeve ndaj të akuzuarve të lidhur me bandën e Laert Haxhiut. Tafani përshkroi jo vetëm përgatitjet dhe përdorimin e tritolit, por edhe lëvizjet e grupit natën e ngjarjes dhe largimin pas shpërthimit.
“Kleviol Ahmetaj me Noizyn janë zënë, janë ofenduar nëpër TikTok. Pastaj ka shkuar në Durrës Klevioli. Laerti i ndiqte në TikTok, e kishte shok Kleviolin. Po diskutonim dhe po thoshte Laerti t’i bënin diçka Noizyt se ka rrahur Kleviolin, t’i vendosnim tritol.
Atë natë mori e ëma Laertin, dhe po e pyeste që pse e goditën Kleviolin. E vunë në sedër, motra dhe e ëma. Kaloi pak dhe tha, çohuni, vendosini tritol. E bëmë gati. Kishim tritol te shtëpia. E merrnim në Tepelenë. U çuam e bëmë gati, disa 100 gramshe. E izoluam me ngjitës, e bëra unë.
Kishim benzinë e zi që e kishim marrë te Palma Nova. Vendosëm targat e një benzi te makina ime. E dinte Lulzim Spahia ku do shkonim. Ai tha ta hidhnim në lokal, në katin e dytë ishin xhamat hapur me karriget aty në shesh, brenda. Parkova në dalje makinën. Lulzimi ndezi makinën. Nuk po gjeja shkallët. U ktheva prapë te makina, i thashë nuk po gjej shkallët. Lulzimi foli me Laertin. I thashë unë ta vendosnim te dyqani poshtë. E vendosim te dyqani i rrobave thamë. E vendosa, ndeza fitilin dhe ika. E dëgjuam që shpërtheu në ecje. Erdhëm në Astir. Parkuam makinën,” rrëfeu ai në gjykatë.









