Kur grupi paraushtarak libanez Hezbollah njoftoi javën e kaluar se udhëheqësi i tij, Hassan Nasrallah, do të mbante fjalimin e tij të parë publik që nga fillimi i luftës Izrael – Hamas, pothuajse i gjithë rajoni mbajti frymën.
A do të vazhdonte Hezbollahu, forca më e madhe paraushtarake e botës arabe dhe që mbështetet nga Irani, të përmbahej nga shkëmbimet e zjarrit me Izraelin, apo do të angazhohej plotësisht në luftë?
Në Liban, rrugët u boshatisën dhe njerëzit u ulën përpara ekraneve për të dëgjuar dhe analizuar më pas fjalët e tij. Po kështu vepruan edhe vendimmarrësit në Izrael dhe në mbarë Lindjen e Mesme.
Hezbollahu ka shkëmbyer zjarr me forcat izraelite përgjatë kufirit që më 7 tetor kur Hamasi bëri sulmin e befasishëm në jug të Izraelit dhe ndezi kështu luftën në Rripin e Gazës.
Të dyja palët kanë pësuar humbje, por frika është se konflikti do të përshkallëzohet dhe do të zgjerohet në një konflikt rajonal.
Nasrallah iu referua këtyre shqetësimeve gjatë fjalimit të tij të premten. “Disa thonë se do të njoftoj se kemi hyrë në betejë”, tha ai. “Ne jemi bërë pjesë e betejës më 8 tetor”.
Por ai nuk tha se Hezbollahu do të angazhohej më shumë në luftime. Në vazhdim i hedhim një vështrim arsyeve përse Hezbollahu dhe udhëheqësi i tij janë lojtarë kryesorë në trajektoren e luftës Izrael-Hamas.
Çfarë është Hezbollahu?
Grupi mysliman shiit Hezbollah është një ndër grupet e shumta që mbështet Irani dhe ndër qeveritë në rajon që njihen me emërtimin Boshti i Rezistencës. I themeluar në vitin 1982 gjatë luftës civile në Liban, objektivi fillestar i Hezbollahut ishte dhënia e fundit e pushtimit izraelit në Libanin jugor, gjë të cilën e arriti në vitin 2000./VOA
Artikulli i plotë këtu.