Kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër intervistë për mediat italiane në lidhje me marrëveshjen e emigrantëve.
Këtë herë Rama është shprehur se marrëveshja me Italinë është brenda normave humanitare gjithashtu atyre europiane.
“Ato që do të ndërtohen në Shqipëri janë qendra pritjeje sipas rregullave europiane. Në Greqi ka më shumë se një, në Itali ka më shumë se një. Por nëse e njëjta gjë bëhet në Shqipëri, flasim për Guantanamon (kamp pa kushte ). Është një qendër pritjeje në një vend që nuk është në BE, por është një vend europian”, – është shprehur kryeministri shqiptar në një intervistë për “RAI”.
Gjithashtu ai ka folur dhe për qasjen që ka Bashkimi Europian ndaj kësaj marrëveshje duke e kritikuar jo pak dhe duke thënë se emigrimi nuk është një luftë vetëm e Italisë apo Shqipërisë por e gjithë Europës.
“Nëse një vend europian kërkon të bëjmë diçka së bashku dhe shkakton gjithë këtë protestë, kjo tregon mungesë serioziteti në trajtimin e vetë problemit të migracionit. Askush nuk ka dhënë zgjidhje deri tani, nuk ka ndarje. Dhe më pas kjo marrëveshje etiketohet si rrëmujë. Shqipëria nuk mund të ofrojë zgjidhje, por le të japim një dorë. Sepse migrimi nuk është një luftë e Italisë apo e Shqipërisë, është një luftë e gjithë Europës kundër një fenomeni që po bëhet gjithnjë e më i madh” është shprehur Rama.