Policia greke prej mbrëmjes së djeshme po heton lidhur me vrasjen e 56-vjeçarit nga Berati, Thimi Droboniku alias Thimi Prifti.
Ai u ekzekutua në lagjen “Palio Faliro” në Athinë rreth orës 21.00 me orën lokale, teksa zbriti nga motori dhe po drejtohej për në pallatin ku jetonte. Ai u qëllua 3 herë me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Një ndër pistat që po heton policia është edhe fakti që urdhri të jetë dhënë nga ambientet e burgut, pasi viktima ishte një ‘lojtar i fortë’ i trafikut të drogës dhe kishte krijuar rivalitete gjatë kohës që ishte vetë i burgosur, pasi ishte arrestuar disa herë në të kaluarën për trafik droge, kontrabandë cigaresh dhe falsifikime.
Hera e fundit që 56-vjeçari u arrestua, ishte në vitin 2023 dhe u lirua me kusht.