Mësohet se është ndaluar drejtori i Burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, Kamber Hoxha dhe e gjithë hierarkia komanduese prej 12 efektivësh. Ndaj tyre raportohet se po bëhet gati dhënia e urdhrit të arrestit.
Sokol Mjacaj po mbahet i izoluar në një vend të posaçëm sekret, pasi do rimerret sërish në pyetje. Prokurorët po përpiqen të zbulojnë nëse vrasja është e urdhëruar nga jashtë, gjithashtu të kuptojnë sesi ka mundur të thyej sigurinë e burgut, ku dyshohet se ai ka bashkëpunuar me punonjësit e burgut dhe me të burgosurit e tjerë.
Arma me të cilën është kryer vrasja e Arben Lleshit dyshohet se është futur dorazi në burg dhe ka arritur tek Sokol Mjacaj.
Një pjesë e kamerave të sigurisë më I.E.V.P., Peqin nuk punonin, edhe skaneri nuk punonte prej shumë kohësh dhe është rregulluar ditët e fundit, faktorë të cilat shtojnë gjithnjë e më shumë dyshimet për një bashkëpunim mes të burgosurit dhe punonjësve të burgut.
Ndërkaq, për të mbledhur sa më shumë prova dhe me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, grupi hetimor ka nisur verifikimin dhe këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë.