Marrëveshja midis Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët afrikanë, planifikon hapjen e dy qendrave në Lezhë dhe Shëngjin, ku do të vendosen emigrantët, dhe siç ka thënë deri më tani kryeministri Edi Rama të gjitha kostot do të paguhen nga pala italiane.
Por deri në çfarë shifrash mund të arrin këto shpenzime?
Sipas mediave italiane marrëveshja Rama-Meloni do ti kushtojë qeverisë fqinje mbi 142 milionë euro në vit, një total prej gati 645 milionë euro në 5 vite. Tani i shtohen dhe 90 milionë euro shpenzime të detajuara në draftin që është sjellë për miratim në Shqipëri.
Pakënaqësitë për këto shifra vihet re fare lehtë në mediat italiane, të cilat nuk ngurojnë të shkruajnë se shpenzimet i kalojnë jashtëzakonisht shumë parashikimet e bëra nga Qeveria e Republikës së Italisë.
Pak javë më parë, Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani premtoi se në fund do të angazhoheshin “më pak se 200 milionë”.
Një tjetër element shqetësues për fqinjët është dhe prapambetja e marrëveshjes, kjo pasi Gjykata Kushtetuese Shqiptare pranoi dy ankesat e opozitës dhe pezulloi ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin tonë.