Gjykata e Elbasanit do të zhvillojë sot seancën për caktimin e masave të sigurisë ndaj të dënuarit përjetë Sokol Mjacaj, drejtorit të burgut të Peqinit, shefit të regjimit të brendshëm dhe personave të tjerë të arrestuar pas vrasjes në qeli të Arben Lleshit më 15 dhjetor.
Prokurori i çështjes, dorëzoi të dielën kërkesat për caktimin e masave arrest me burg.
Përveç autorit direkt të ngjarjes Sokol Mjacaj, prokuroria ka kërkuar burg edhe për ish-drejtorin e burgut të Peqinit Kamber Hoxha, shefin e regjimit të brendshëm të burgut, Qani Muça si dhe 10 punonjës mes tyre edhe ish shefi i policisë së burgut Nikolin Gjonpali.
Ata akuzohen se kanë shkelur rregullat e sigurisë në burg, që nga moskryerja e kontrolleve ndaj të dënuarit Mjacaj, i cili lëvizte prej të paktën 20 ditësh me armë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.