Gjykata e Durrësit ka vendosur “arrest në burg” për 27-vjeçarin Meklajd Meçaj, i dyshuar për vrasjen me thikë të fqinjit të tij, 60-vjeçarit Rrapush Memolla, në një ngjarje të ndodhur në Rrogozhinë.
Sipas dosjes hetimore, konflikti ka shpërthyer papritur mes dy fqinjëve në lagjen Mollaj dhe ka përfunduar me përdorimin e thikës, ku viktima ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Edhe i dyshuari ka mbetur i lënduar gjatë përleshjes.
Para gjykatës, 27-vjeçari ka mohuar që të ketë pasur qëllim për ta vrarë 60-vjeçarin, duke pretenduar se është përfshirë në konflikt pas një sulmi të parë nga viktima dhe se ka vepruar për vetëmbrojtje.
“Unë nuk kam pasur konflikt me të, ai më goditi i pari dhe unë u mbrojta. Nuk kam dashur ta vras”, është shprehur ai në seancë.
Sipas të dhënave, i riu rezulton i dënuar më parë në Gjermani. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke lënë në fuqi masën e sigurisë deri në përfundim të hetimeve.









