Në pritje të vendimit të Gjykatës së Posaçme për Fredi Belerin nëse do të dënohet apo do të shpallet i pafajshëm, kryeministri Edi Rama i kërkoi në mënyrë indirekte kryetarit në detyrë të bashkisë Himarë, Jorgo Goro që të japë dorëheqjen.
Por a ka gjasa që të zgjidhet shpejt çështja Beleri dhe cili do të jetë fundi? Historiani Arben Llalla në një intervistë për “5Pyetjet.al” me “Skype” duke njohur të kaluarën u shpreh se qeveria shqiptare duhet të rezistojë përballë presionit grek.
“Që kur është arrestuar Beleri kam shkruar që “janë hedhur çelësat në det” sepse ka shumë fakte, dëshmi që ai ka bërë blerje votash në Himarë në 14 Maj edhe pse Greqia bën presione. SPAK-u është i pavarur dhe duhet të lihet që të bëjë punën. Kokaveshi iku si frikacak dhe u strehua në Greqi dhe ai nuk ka për të ardhur më për të ndjekur procesin gjyqësor. Kjo tregon se ka fakte të tjera më bindëse për këtë punë. Greqia që në 2015 ka nisur projektin për të fituar bashkinë e Himarës.
Por nuk e fituan. Nëse e merr Konispolin dhe Himarën një filo grek apo një shqiptar i bërë grek, do të kërkojë Greqia asocimin e bashkive në jug. Ky është projekt i qeverisë greke. Dhe punojnë për ta realizuar. Ne duhet të punojmë që ky projekt për aneksimin e jugut të Shqipërisë në të ardhmen të mos ndodhë. Ka fakte që ka blerje votash që nga 2015 duke dhënë shtetësi greke shqiptarëve myslimanëve kundrejt votës.
Qeveritarët shqiptarë janë vasalë të Greqisë duke mbushur tokën e Shqipërisë me buste të kriminelëve grekë, duke ngritur tetë mijë varre bosh të luftës italo-greke. Greqia bën sulm duke parë që shqiptarët janë të dobët. E ka thënë Pirro Dhima në një intervistë që “grekët janë racistë dhe kur të shikojnë të dobët ushtrojnë shumë dhunë dhe presione”.
Një pjesë e mirë e deputetëve të Kuvendit apo drejtuesve të institucioneve në Shqipëri e dini mirë se kujt i shërbejnë. Ne na ka ruajtur më shumë fati sesa ne kemi ruajtur Shqipërinë. Kemi miqtë tanë, SHBA dhe më pas vjen Gjermania” tha ai.
Për veton greke për integrimin ka një tjetër version. “Për punën e vetos unë e shikoj i cikë politike, nuk donin ta ndanin Shqipërinë nga Maqedonia që ka veto nga Bullgaria. Dy shtetet janë të lidhura. Për ta frenuar, BE krijoi një veto të Greqisë. Është një veto e fshehtë e grekëve, e republikës së Qipros, banuar nga grekët. Ata janë më të ashpër se Greqia ndaj Shqipërisë. Mos e harroni këtë”.
Por cili është fati i dosjeve të vjetra në këtë situatë ku ndodhemi? “Unë nuk jam pesimist. Sepse e bëj këtë luftë paqësore për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve, sikur është njohja e pakicës shqiptare në Greqi, zgjidhja e drejtë dhe paqësore e çështjes çame, zgjidhja e pronave të shqiptarëve që kanë miliona apo miliarda në Greqi dhe heqja e ligjit të luftës.
Çështja Beleri nuk ekziston. Beleri është një shqiptar i dënuar në Greqi për kontrabandë armësh, i dënuar në Shqipëri për dhunimin e simboleve kombëtare. Është një rrugaç i dënuar, por fajin, mëkatin e kanë Sali Berisha dhe Ilir Meta që një çështje dobiçi na e lanë tek dera ne. Shqipëria dhe Greqia asnjëherë nuk do të kenë paqe nëse nuk do të hiqet ligji i luftës, nëse nuk zgjidhet çështja çame dhe pronat”.
Në fund kishte edhe një parashikim. “Grekët kanë tkurrje të popullsisë, janë shtuar emigrantët nga lindja. Grekët brenda 10 viteve do të luten për shqiptarët, që kur kanë qenë emigrantë nuk qenë acarues dhe problematikë në Greqi. Populli grek në përgjithësi nuk është racist por nxitës janë institucionet shtetërore dhe kisha” përfundoi ai.