Katërmbëdhjetë ushtarë izraelitë janë vrarë në luftimet në Rripin e Gazës gjatë fundjavës, tha ushtria izraelite të dielën.
Ditët e fundit kanë qenë disa prej ditëve kur janë zhvilluar betejat më të përgjakshme që kur Izraeli nisi ofensivën ushtarake, dhe janë sinjal se Hamasi grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Britania ende po reziston pavarësisht javësh të luftimeve brutale.
Rritja e numrit të ushtarëve të vrarë izraelitë ka të ngjarë që do të jetë një faktor i rëndësishëm i mbështetjes së publikut izraelit për luftën, që u nxit pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.
Lufta ka shkatërruar pjesë të Rripit të Gazës dhe ka vrarë pothuajse 20.400 palestinezë. Si pasojë e luftës, 85 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës është zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, 166 persona janë vrarë në enklavë gjatë ditës së kaluar.
Izraeli vazhdon të insistojë në qëllimet e tij për të shkatërruar aftësitë qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit dhe lirimin e 129 pengjeve të mbetura. Mbështetja e publikut për këto qëllime ka qenë kryesisht e qëndrueshme, pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar ndaj ofensivës së Izraelit dhe numrit të paprecedent të viktimave në mesin e palestinezëve.
Por, rritja e numrit të ushtarëve të vrarë mund ta minojë këtë mbështetje. Kjo çështje është e ndjeshme në Izrael, ku shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e hebrenjve./REL
Artikulli i plotë këtu.