Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë po ndodhë veçanërisht pas sulmit terrorist serb, më 24 shtator në Banjskë të veriut të Kosovës.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, thekson se rreziku për ndonjë sulm tjetër nga Serbia mund të jetë permanent.
Diplomati shqiptar thekson për KosovaPress, se vitin tjetër do të sjellin edhe 40 trupa shtesë në kuadër të KFOR-it.
Ambasadori Malaj ka thënë se aktualisht numri i ushtarëve të Shqipërisë në kuadër të misionit të NATO-s, në Kosovë është mbi 100.
Diplomati Malaj ka komentuar edhe deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se “Serbia po planifikon sulme të reja”.
Krerët shtetëror kosovarë vlerësojnë rrezikun që vjen nga Serbia për paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ditë më parë në takimin e samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor ka informuar liderët evropianë, siç ka thënë ajo mbi rrezikun që vjen nga Serbia për paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon.
Gjeneral brigade Bundeswehr-it Ralf Hammerstein, ka thënë këto ditë se siguria në Kosovë po përkeqësohet dukshëm dhe NATO po e shton praninë e saj në pranverë, edhe me ndihmën e Bundeswehr-it – forcat e armatosura të Gjermanisë.
Po ashtu Instituti amerikan Robert Lansing ka shprehur shqetësime për sulme të reja nga Serbia në Kosovë, veçanërisht pas incidentit të 24 shtatorit./KosovaPress