Rusia ka akuzuar vendet perëndimore si shkaktare për nxitjen e tensioneve në Serbi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska shpreson se rezultati i ndërhyrjes së perëndimit në Serbi do të çojë në “forcimin e mëtejshëm të miqësisë” midis Beogradit dhe Moskës.
Ndërsa zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova deklaroi se “Përpjekjet e Perëndimit kolektiv për të destabilizuar situatën në vend janë të dukshme”.
Situata në Serbi nuk është e qëndrueshme gjatë ditëve të fundit.
Policia mbrëmjen e të dielës përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në Beograd, të cilët kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Shumë prej demostruesve u përpoqën të hynin me forcë në godinën e Bashkisë duke thyer xhamat dhe duke u përplasur me forcat e rendit.
Opozita serbe thotë se policia përdori forcë të tepruar ndaj qytetarëve madje mes tyre kishte provokatorë për të shkaktuar dhunë.
Pas protestave të dhunshme ku pati me dhjetëra të arrestuar presidenti Aleksander Vuçiç u shpreh se shteti do të reagojë.
Sipas tij qyteti i Beogradit po shkatërrohet për shkak të “qëllimeve të pista politike” duke nënvizuar edhe njëherë faktin për ndërhyrje të huaj.
“Prandaj erdha menjëherë në Presidencë dhe hyra në hyrjen kryesore, vetëm për t’u treguar se nuk kam frikë nga asgjë. Asnjë revolucion nuk po ndodh”, u shpreh Vuçiç i cili thirri edhe Këshillin Kombëtare të Sigurisë.