-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pëllumb Nako: Pas çdo fatkeqësie flitet për vizion

Kryesoret

Aq e fortë, e larmishme dhe aq e shpërndarë në mënyrë kapilare është bërë propaganda qeveritare saqë jo vetëm arrin kudo ku dëshiron, por me gjithë fryrjet trashanike në raste jo të rralla, në medien kritike nuk konstatohet asnjë ose fare pak pikëpyetje. Duket qartë që ky sulm i gjerë frontal që i bëhet gjithë popullsisë, po thyen gjithmonë e më shumë kundërshtinë.

Kritikuesit po lodhen dhe në publik po shtohen perceptimet se çdo gjë po shkon në rrugën e duhur. Ndaj dhe në një atmosferë të tillë, kur ndonjë individ sheh personalisht se është ngushtë ekonomikisht, se nuk i sigurohet asgjë nga çfarë i është premtuar, apo siklete të tjera për të bërë një jetë normale, mendon se vetëm ai ose pak si ai janë në këtë gjendje ndaj mbyll gojën dhe ndrydhet në vetvete.

Tërësia e individëve që përbëjnë shtresat modeste të Shqipërisë komunikojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet propagandës së zhurmshme të qeverisë dhe nuk e njohin fatin e secilit. Asgjë nuk i shpëton dot propagandës. Kur ndodh një ngjarje e rëndë, në kulmin e dëshpërimit popullor, për të mbuluar kapjen gafil të qeverisë, rregullisht organizohen konferenca pompoze. Ato janë gjithmonë me tematikë shkencore, me prani ndërkombëtare dhe me pamje 3D.

Në këto konferenca flitet vetëm për vizion. Pak pas tërmetit katastrofik të vitit 2019 janë zhvilluar numër i madh simpoziumesh për tërmetet, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile po ashtu ka organizuar vetë disa konferenca vizionare, ka publikuar strategji të shumta. Dhe tani së fundmi, pas katër viteve nga ngjarja e rëndë e tërmetit, rezulton se në Bashkinë e Lushnjës mungojnë mjetet më të domosdoshme për shuarjen e zjarrit dhe për evakuimin e qytetarëve përdoret RENEA.

Në thelb duket qartë që pas çdo fatkeqësie flitet për vizion, për vëmendje të shtuar, për kujdes të veçantë dhe kur ndodh tragjedia tjetër e radhës, ajo zbulon se nuk ka pasur as vizion, as vëmendje të shtuar, as kujdes të veçantë, por vetëm mangësi në mjete. Lushnjes i mungonin dy zjarrfikse. Në rastet e dështimeve të prekshme, qeveria nuk mund të shfaqet veçse llërëpërveshur.

Në një kohë kur për disa vite rresht rinia masivisht merr rrugët e mërgimit në mënyrë të parregullt, qeveria thotë se edhe rumunët, edhe kroatët emigrojnë gjerësisht në vendet më të zhvilluara evropiane. Kur ata mbërrijnë në Britani dhe autoritetet e këtij vendi duan t’i kthejnë me forcë në Shqipëri, qeveria thotë se kemi bashkëpunim të shkëlqyer me britanikët dhe ata kanë besim te institucionet tona.

Ndërkohë lëvizja e rumunëve dhe e kroatëve bëhet brenda rregullave të Bashkimit Evropian pasi dy vendet janë pjesë e të njëjtës familjeje. Shqiptarët ende nuk janë pjesë e familjes evropiane, pavarësisht se kryeministri dekoroi disa ambasadorë të Shqipërisë nëpër Evropë me rastin “hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian”.

Ky fakt do të mbetet legjendar në historinë e përpjekjeve të Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian. Të flasësh për propagandën qeveritare dhe të lësh pa përmendur kryebashkiakun e Tiranës, është njëlloj si të përmendësh aktorin komik Oliverd Hard pa prekur fare Sten Laurelin, kolegun e tij të pandarë. Në fillim të vitit 2023, ai shpalli “Tirana Kryeqytet evropian i sportit”. Fjala “evropian” në këtë kontekst është sa një mal me propagandë.

Të thuash “Tirana kryeqytet i sportit” është normale dhe e vërtetë dhe këtë e dinë të gjithë. Por kryebashkiaku kërkon diçka tjetër, më të lartë, më afër qeverisë, që nuk ka lidhje me standardin shqiptar. Atij i duhet një “Tiranë evropiane”. Dhe prej këtej ndërton propagandën. Por do të ishte e mjaftueshme që në rastin e propagandës për “Tiranën kryeqytet evropian i sportit” të përmendnim faktin se nëse maratona e zhvilluar në morinë e aktiviteteve sportive, do të vazhdonte deri në fund të bulevardit të ri, rrezik asnjë sportist nuk do ta përfundonte dot garën për shkak se do të asfiksohej nga aroma e plehrave shekullore të hedhura në fund të bulevardit dhe të lumit që mban erë acid.

Nuk ka asnjë qytet në Evropë dhe nuk mund të flitet për sport në një qytet ku çdo ditë rriten përdoruesit e drogës, në një qytet me smog të lartë, ku ujërat e zeza të derdhen në lumenj e përrenj që përshkojnë qytetin dhe ku nuk ka as ndërtesa me simbol depozitat e ujit. Pa përmendur këtu probleme të tjera. Ajo që është më interesante për këtë qeveri duke e kthyer atë në emblematike është fakti se edhe kur disa lloj arritjesh mund të quhen realisht suksese, qeveritarëve nuk u rrihet pa e zmadhuar arritjen.

E kërkojnë me çdo çmim propagandën, u është bërë deformim profesional, apo më mirë një lloj vesi. Rregullisht në raste të kësaj natyre fakti komentohet ose si i pari në historinë e Shqipërisë, ose si ndër të parët në Evropë. Vetë kryeministri para disa ditëve theksoi se “mbi 10 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë, arritje historike, e paimagjinueshme më parë”.

Është fakt që këtë vit pati dyndje turistësh në Shqipëri dhe nuk është e thënë që ata të jenë patjetër 10 milionë. Në vend që qeveria të përqendrohet për të gjetur një sistem përllogaritjeje të tyre nëpërmjet formalizimit të të gjithë hoteleve, moteleve dhe shtëpive private që jepen me qira, u referohet të dhënave kufitare duke kënduar lavdi. Mjafton të bësh pak kërkime në internet dhe do të shohësh se vendet lider në fushën e turizmit llogarisin totalin numrin e netëve të kaluara nga vendës apo të huaj në të gjitha strukturat akomoduese të vendit.

Madje, duke qenë se edhe vendparkimet e rulotave janë të formalizuara, llogariten edhe këto të fundit. Në mos të sakta, në një kontekst të tillë, ato japin ide të plotë të turistëve dhe lehtësojnë përllogaritjet e fitimeve ekonomike. Kurse në 10 milionëshin e Kryeministrit futen të gjithë individët që gjatë këtij viti kanë hyrë në Shqipëri më shumë se një herë. Aty futen të gjithë shtetasit kosovarë që hyjnë drejt vendit të tyre nga Durrësi, nga Pikat Kufitare me Malin e Zi. Po ashtu këta shtetas hyjnë në Shqipëri edhe kur bëjnë itinerarin e kundërt duke u kthyer në Evropë.

Njëlloj si kosovarët janë edhe maqedonasit, qoftë me pasaporta vendore, qoftë me të huaja. Në të dyja rastet nuk bëhet fjalë për turistë të huaj, por për shtetas të huaj që shkojnë në shtëpinë e tyre dhe i bien rrugës që kalon nga Shqipëria. Po ashtu, gjatë një viti në Rinas hyjnë dhe dhjetëra herë të huaj që punojnë e jetojnë në Shqipëri, shqiptarë të natyralizuar nëpër botë që lëvizin për hallet e tyre, pra edhe ata regjistrohen më shumë se një herë.

Ka edhe skenarë të tjerë të këtij lloji, por rëndësi ka fakti se sado e konsiderueshme të jetë firua në raport me 10 milionët e Kryeministrit, përsëri numri i të huajve që hyjnë e dalin në Shqipëri po bëhet gjithmonë e më i madh. Edhe sikur të jenë më pak se 10 milionë, prapë bëhet fjalë për sukses. Vendit i duhet ngritja e ekonomike, jo numri. I duhen më shumë arritje e më pak propagandë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit