-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ben Blushi: Komplotet e vogla të Lezhës

Kryesoret

Lezha është një qytet me shumë mistere. Të paktën për mua. Ky qytet ka shumë histori dhe poezi. Këto dy cilësi e kanë shënjuar si një vend interesant edhe kur Shqipëria ishte një territor monoton, i izoluar që nuk ofronte asnjë kënaqësi, përveç barazisë torturuese. Nga Lezha kam shumë kujtime si student, kur bëja zborin ose aksionet dhe duke i ikur pa leje rrëgjimit ushtarak të Mamurrasit apo disiplinës bujqësore të kooperativës së Rrilës, vija këtu për të blerë cigare, pastë dhembesh ose konjak të ëmbël. Hipur mbi ndonjë kamionçinë me bagazh të hapur apo mbi ndonjë karrocë me kalë, kur mbërrija në këtë qytet të vogël më dukej sikur kisha ardhur në perëndim.

Asfalti i freskët i Lezhës ishte një tapet për në qytetërim. Kur bënte vapë hotel turizmi i qytetit ishte një frigorifer i vogël që ushqente të ardhurit me akullore të verdha me një qershi në majë. Ndoshta për shkak të gjeografisë, ndoshta për shkak të historisë apo ndoshta për shkak të fesë, askund nuk e kam ndjerë Perëndimin më afër në ato vite. Lezha ishte një arratisje. Një exit. Një kalim. Një tejpërtej. Një andej. Kjo shije e mirë për Lezhën më ka sjellë në ato vite të mbyllura shumë shpesh nga Tirana me tren për në Ishullin e Gjuetisë, aty ku bashkë me shumë miq, Vila e Konti Cianos ku kërcenim dhe pinim gjithë natën, na dukej si cepi më i lirë i Shqipërisë komuniste të viteve ‘80.

Trenat e mbushur me shpendë të uritur, me ushtarë të vegjël dhe me mësues të mërzitur duken tani si një film ekzotik të cilit i ka vdekur regjisori. Me pak fjalë arratisjet në Lezhë kanë qenë të zhurmshme, të mbushura me muzikë të ndaluar, me alkool të pakontrolluar, me flirte të padëmshme dhe me mendime të çuditshme.

Melankolia ishte muzika tradicionale e Lezhës që vazhdon dhe ushqen poetët e saj shumtë. Çuditërisht Lezha ka pasur gjithmonë më shumë poetë se policë dhe arsyen se kam kuptuar dot asnjëherë. Policët kanë sistemuar në çdo kohë rrëmujën që bëjnë poetët duke i pajtuar ata me njëritjetrin, por dhe me vetveten. Sot gjërat kanë ndryshuar pak: policët duan të shkojnë në plazh, poetët shkojnë në Tiranë. Të dyja palët takohen në qytet dhe mendojnë se ndoshta do ishte mirë që nganjëherë, t’i ndërronin vendet.

Rendi i poezisë është më i bukur se çdo lloj rendi, përfshi edhe poezinë pa rend. Këto kujtime që më pas janë plotësuar edhe me detaje të tjera për Lezhën dhe lezhjanët, i ndava edhe në takimin e mrekullueshëm para disa ditësh për prezantimin e romanit “Komploti” në Lezhë. Më erdhi mirë që shumë miq e kishin lexuar romanin dhe prandaj i falënderoj të gjithë duke postuar si kujtim këto fotografi.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit