2023’ta, sipas të gjitha gjasave, ishte periudha më intensive që prej se Kosova dhe Serbia bëjnë dialog. Ky vit solli marrëveshje mes palëve, që u ndërmjetësuan nga Uashingtoni, Brukseli, Parisi e Berlini, por nuk prodhoi shumë efekte në terren. Gjatë vitit të ardhshëm Kurtit dhe Vuçiçit do t’u duhet përsëri të merren me zotimet që i kanë dhënë – lista e detyrave është e gjatë.
Por, profesori i filozofisë, Blerim Latifi, duke u bërë një analizë këtyre zhvillimeve në një intervistë për fundvit në Gazetën Express thotë se nuk pret shumë. “Unë parashoh vazhdimin e një lufte diplomatike nervash, vajtje-ardhje diplomatësh në Prishtinë e Beograd, takime në Bruksel dhe pak fryte, pra njëlloj riciklimi të vitit të kaluar”, shton ai.
Duke analizuar veprimet e Kurtit, Latifi thotë se ai po manovron “për të gjetur një rrugë të tretë midis premtimit opozitar dhe detyrimit ndërkombëtar”. “Pjesë e këtyre manovrave është edhe shqetësimi i tij personal për të mos mbetur në histori si njeriu që nënshkroi autonominë serbe në Kosovë”, thekson ai.
Këtu, sipas Latifit, hyjnë në lojë edhe zgjedhjet të cilat “janë një mundësi e mirë e Kurtit për t’i arritur dy gjëra: blerjen e kohës në kontekstin e presionit ndërkombëtar për shtyrjen përpara të zbatimit të Asociacionit dhe sigurimin e mandatit të dytë qeverisës.
“Kjo më shtyn të mendoj se viti 2024 do të jetë vit zgjedhjesh në Kosovë e duke qenë i tillë ky vit nuk do të shënojë ndonjë hap historik në procesin e dialogut me Serbinë. Sepse kur ka zgjedhje kërkohet retorikë tjetër nga ajo që e kërkon logjika e dialogut. Kjo vlen sidomos në këto shtetet tona të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.