Një taksist është vënë në pranga gjatë rrugës për në Maqedoninë e Veriut për shkak se në taksinë e tij u gjetën 2 çanta me lëndë narkotike kanabis dhe armë zjarri me municion.
U arrestua qytetari me iniciale M.M, 51 vjeç banues në zonën e Paskuqanit në Tiranë.
Ai u kap nga policia kur po lëvizte në dalje të qytetit të Pogradecit në zonën e quajtur “Lumi i Tërhanit”, me një automjet taksi, me të cilin dyshohej se mund të trafikonte në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjetën 8.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e futur në dy çanta, dhe 1 armë zjarri automatik model “Scorpions”, me krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.