Ish-kryeministri Sali Berisha edhe për sot, doli në ballkonin e shtëpisë së tij ku ndodhet prej ditësh në arrest shtëpie. Berisha edhe sot iu foli simpatizantëve të tij që ishin mbledhur poshtë në shenjë solidarizimi.
Berisha tha se Edi Rama është njeriu më i urryer nga shqiptarët pas Enver Hoxhës, për të vetmet arsye se ashtu si diktatori, ai ka mbjellë frikë në katër anët e vendit.
“Po të kthehemi mbrapa në diktature, një histeri të tmerrshme përjetoi Tirana kur vdiq diktatori dhe po të pyesja shqiptarët, ata përgjigjeshin që populli e do Enver Hoxhën dhe vdisnin për të. Edhe sot po t’i pyesësh, thojnë se e votojmë Ramën, sepse i tmerron dhe i frikëson. Njerëzit e lirën nuk duan diktatorë.
Sot më shumë se kurrë duhet të jeni në këmbë. Edi Rama në shpirt dhe në zemër është sot pas Enver Hoxhës, figura më e urryer e shqiptarëve.”
Berisha gjithashtu ka fajësuar Edi Ramën se masa e arrestit të shtëpisë nuk e frikëson ish-kryeministrin por vjen nga fakti se ai ka frikë nga 600 mijë shqiptarët kundra tij.
“Ai nuk vendosi Berishën në arrest shtëpie për ta frikësuar, sepse ai e ka të qartë që nuk mund ta frikësoi kurrë, por ai e bëri këtë për të frikësuar 600 mijë shqiptarë që votuan kundër tij më 14 maj. E bëri këtë si përpjekjen e fundit për të tmerruar popullin opozitar, por ai dështoi sërish.
Ky ballkon, kjo rrugicë ishte projektuar nga ai të ishte ballkoni i frikës, por ju e shndërruar në ballkonin e shpresës dhe fitores.”