Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se ai u ka thënë Shteteve të Bashkuara se ai kundërshton krijimin e një shteti palestinez sapo konflikti në Gaza të përfundojë.
Në një konferencë shtypi, Netanyahu sfidues u zotua të vazhdojë me ofensivën në Gaza “deri në fitoren e plotë”: shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve të mbetura izraelite, duke shtuar se mund të duhen “shumë muaj të tjerë”.
Me gati 25,000 palestinezë të vrarë në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, dhe 85% të popullsisë së rripit të zhvendosur, Izraeli është nën presion të madh për të frenuar ofensivën e tij dhe për t’u angazhuar në bisedime kuptimplote për një fund të qëndrueshëm të luftës.
Aleatët e Izraelit, duke përfshirë SHBA-në – dhe shumë prej armiqve të tij – kanë kërkuar një ringjallje të “zgjidhjes së dy shteteve” prej kohësh në gjumë, në të cilën një shtet i ardhshëm palestinez do të ulet krah për krah me një izraelit.
Shpresa në shumë qarqe është se kriza aktuale mund t’i detyrojë palët ndërluftuese të kthehen në diplomaci, si alternativa e vetme e qëndrueshme ndaj cikleve të pafundme të dhunës. Por nga komentet e zotit Netanyahu, qëllimi i tij duket krejt i kundërt.
Gjatë konferencës për shtyp të së enjtes, ai tha se Izraeli duhet të ketë kontroll të sigurisë mbi të gjithë tokën në perëndim të lumit Jordan, e cila do të përfshijë territorin e çdo shteti të ardhshëm palestinez.