-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Rreth fjalëve që e kërkojnë rrugën e vet

Kryesoret

Thirrja e Robin Cook, vallëzimi i dukeshës së Albas dhe mungesa e termit “nënë “ e “burrë”

1.Ku do të kem qenë në javën e fundit të janarit para një çerek shekulli? Sa është i gjatë emri i dukeshës së parafundit të Albas? Si mund të matet statistikisht mungesa e vlerës së jetës së palestinezëve? Këto tri lexime të ditës së sotme më sillen vërdallë ndërsa ulem për të shkruar kolumnen, me vullnet të shprehur për të mos komentuar përditshmërinë në Kosovë, Shqipëri apo regjion.

Më duket se çfarëdo që do të shkruaj sot për Ballkanin Perëndimor, do të jetë qoftë përsëritje (Serbia e Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet, Ballkani Perëndimor ka ardhmëri evropiane, regjioni një herë e përgjithmonë duhet të bëjë kthesë kah ardhmëria) apo një shkrim që për shkak se është përsëritje, nuk do të ketë jetëgjatësi më të madhe se disa orë, maksimumi një ditë.

Rrjedhimisht, testi i të shkruarit është në do të mbeten në mbamendjen e lexuesit, siç më mbetën mua nga leximet e paradites, këto tri pyetje, pa ndërlidhje tjetër mes vete, pos faktit se më brofën gjatë leximit të sotëm.

2.

Javën e fundit të janarit të vitit 1999 isha në redaksi, në “KOHA Ditore”. Përcillja me ngërç lëvizjet diplomatike pas masakrës së Reçakut, flisja me miq të huaj, gazetarë e diplomatë, takohesha me anëtarët e tjerë të atij që mund të bëhej ekipi negociator i Kosovës. Dhe, në fund të javës lexova informatën se në Londër është mbledhur Grupi i kontaktit (pesë fuqitë perëndimore plus Rusia) dhe se kanë vendosur që të ftojnë Serbinë dhe delegacionin e shqiptarëve të Kosovës në Rambouillet, Francë për të zhvilluar negociata mbi paqen dhe ardhmërinë e Kosovës.

Robin Cook, shef i diplomacisë britanike, do të më telefonojë në mbrëmjen e fundjanarit për të konfirmuar me pohim të vetin më shumë se sa për të më pyetur se “natyrisht, pres që të jesh në Rambouillet me delegacionin tuaj”.

Në historinë e Kosovës nuk ka pasur instancë kur përfaqësuesit e saj të jenë ftuar për të diskutuar, për t’u pyetur apo vendosur për ardhmërinë e vendit. Përnjëherë, me një vendim, fjalët e grumbulluara në Kosovë u lanë të dalin, duke mbërritur madje në një Kështjellë të filluar më 1368, diçka para se të mbërrinin otomanët në këto toka.

3.

Dukesha e 18-të e Albës quhej Maria de Rosario Cayetana Paloma Alfonsa Victoria Eugenia Fernanda Teresa Francisca de Paula Lourdes Antonia Josefa Fausta Rita Castor Dorotea Santa Esperanza Fitz-James Stuart y Silva, Falcó y Gurtubay – madje kishte më shumë tituj (mbi 40) sesa emra. Doña Cayetana, siç e quanin, ishte aristokratja më e titulluar në botë dhe deri sa vdiq në vitin 2014, e mbajti emrin Alba në sy të publikut, kryesisht duke u bërë dhe veshur siç ia donte qejfi.

I biri i saj , duka i sotëm Carlos Fitz-James Stuart, shkruan “The New York Times”, vendosi që t’i hapë për publik katër pallatet e familjes, që të gjitha vepra arti e përplot art brenda. Njëri prej pallateve ishte Palacio de Dueñas në Sevilla, të cilën familja e bleu më 1612 nga një fatkeq që kishte nevojë për para pengu për një familjar të rrëmbyer në Afrikë veriore.

Kjo ishte shtëpia e preferuar e Doña Cayetanës që e përdorte edhe në të tetëdhjetat e saj për të lozur flamenco çdo ditë në vend të gjimnastikës së mëngjesit dhe për të lënë fjalë të tjera që të dalin, me vendim shprehimisht të hapjes së pallatit e të rrëfimeve nga ana Dukata së Albës.

4.

Zhvlerësimi i jetës palestineze nuk është një supozim, është një fakt statistikor, shkruan Owen Jones, kolumnist i The Guardian. Sipas një studimi të ri të mbulimit në gazetat kryesore amerikane, për çdo vdekje izraelite, izraelitët përmenden tetë herë – ose me një normë 16 herë më shumë për vdekje se në rastet e palestinezëve. Një analizë e mbulimit të BBC-së nga specialistët e të dhënave Dana Najjar dhe Jan Lietava, gjeti një pabarazi të ngjashme shkatërruese dhe se termat humanizues si “nënë” ose “burrë” përdoreshin shumë më rrallë për të përshkruar palestinezët, ndërsa termat emocionues si “masakër” ose “therje” u zbatua pothuajse ndonjëherë vetëm për viktimat izraelite të mizorive të Hamasit.

Kolumnisti përshkruan diçka që mund të quhet humbje e busullës morale të Perëndimit.

Rrjedhimisht, të vendimit të vendosjes së digës ndaj fjalëve që përshkruajnë vuajtjen , nevojën për jetë e liri të palestinezëve. Ato duhet të rrinë të rrethuara në Gaza, deri të ketë një vendim që të mund të rrjedhin përtej./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit