Kreu i SPAK, Alin Dumani deklaroi nga Shkodra ku mori pjesë në një takim në universitet me studentët se koha do ta tregojë punën që po bën struktura që drejton. Sipas tij, SPAK e ka treguar se është në gjendje të përballet me grupet kriminale që kanë lidhje edhe me politikën.
“Koha do ta tregojë pasi jo çdo gjë shkon vaj. Kemi dhënë shenja se jemi në gjendje të përballemi me grupet kriminale, përtej forcës që kanë dhe lidhjeve edhe me politikën. Jemi përditë në këtë luftë. Kemi dhënë shenja.
Për të folur për suksese duhet të presim vendimin e gjykatave, për subjektet e nivelet të lartë. Po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë. Është e lodhshme, por jo e pamundur.
I kushtojmë rëndësi kryesore integritetit. Duhet të kesh vlera profesionale dhe integritet në detyrat e mëparshme. I nënshtrohemi vettingut, heqim dorë nga privatësia, kemi dorëzuar e-mail, nr. tel, e çdo gjë tjetër. Ndërsa drejtuesit e BKH i nënshtrohen edhe testit të poligrafit” tha ai.