-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

SHBA ndalon financimin e agjencisë së OKB-së për palestinezët, i akuzojnë për lidhje me Hamasin

Kryesoret

Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë shkarkoi një numër punonjësish të saj në Gazë, të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin e 7 tetorit të Hamasit dhe militantëve të tjerë në Izraelin jugor, tha të premten drejtori i saj, gjë që ka bërë që Shtetet e Bashkuara – donatori më i madh i agjencisë – përkohësisht të ndalojë financimin e saj.

“UNRWA”, është agjencia kryesore që ndihmon popullatën e Gazës në mes të krizës humanitare të shkaktuar nga ofensiva e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës që pasoi sulmin e 7 tetorit. Zyrtarë të agjencisë folën mbi ndikimin që do të kishte në operacionet e tyre ndërprerja e financimit nga Shtetet e Bashkuara.

Shefi i agjencisë për refugjatët palestinezë, Philipe Lazzarini tha se ndërpreu kontratat me disa punonjës dhe urdhëroi një hetim, pasi Izraeli ndau informacione ku pretendohej se ata luajtën rol në sulm.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se pati akuza për 12 punonjës. Agjencia UNRWA ka 12 mijë punonjës në Gazë, pothuajse të gjithë palestinezë, përfshirë mësuesit në shkollat që drejtohen nga agjencia e deri tek mjekët, personeli mjekësor dhe ekipet e urgjencës.

Në një deklaratë, zoti Lazzarini i quajti këto akuza “tronditëse” dhe tha se çdo punonjës “i përfshirë në akte terrori do të mbahet përgjegjës, duke përfshirë edhe ndjekjen penale”.

Ai nuk dha më shumë hollësi mbi pretendimet se cili ishte roli në sulm i punonjësve të akuzuar. Në sulmin e befasishëm dhe të paprecendentë, luftëtarët e Hamasit u futën përmes gardhit të sigurisë që rrethonte Gazën dhe sulmuan komunitetet izraelite aty pranë, duke vrarë rreth 1200 persona, kryesisht civilë dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

“UNRWA përsërit dënimin e saj me fjalët më të ashpra të mundshme për sulmet e rënda të 7 tetorit”, tha zoti Lazzarini, ndërsa bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm pa kushte të pengjeve izraelite.

Nga fillimi i luftës, sulmi i Izraelit ka vrarë më shumë se 26,000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur më shumë se 64,400 të tjerë, tha të premten Ministria e Shëndetësisë së Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi.

Ndiqni artikullin e plotë: VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit