-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Armiku i mirë…

Kryesoret

Jeta e deshi që, pothuajse 32 vite më parë, të bëhem mik me Ali Ahmetin, pastaj të jemi sëbashku në një organizatë poliike, Lëvizja Popullore e Kosovës, për më tepër, në kryesinë e saj.

Kur për herë të parë, fill pas përfundimit të luftës në Maqedoninë e Veriut, që ndryshe nga sa kishin pritur mjaft institucione ndërkombëtare të sigurisë, kishte sjellë fitoren e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe se, drejtuesi i saj, Ali Ahmeti nuk ishte më enigma e politikës, por zgjedhja e saj, kaloja kufirin e Kosovës në drejtim të viseve shqiptare në Maqedoni, mendimi i parë që më erdhi ishte krejt i natyrshëm për mua: I thashë vetes : Ai ditë të bëjë luftën, a do të dijë të bëjë edhe paqen?

Paqja, shpesh herë, është më e vështirë se sa lufta. Në Kosovë, muajt e parë të pas luftës, po humbnim më shumë se sa në luftë.

Është e vështirë të kuptohet tani ajo që ka ndodhur aso kohe në Maqedoninë e Veriut. Nëse duam të kuptojmë këtë, le të përfytyrojmë këtë antogonizëm; nga njëra anë nacionalizmin e armatosur shtetëror maqedonas, i cili nuk pranon se fqinjët e tij autotoktonë janë njerëz të njëjtë me të, ndaj duheshin përgjakur, përzënë, i duhej ndaluar gjuha, mohuar kombësia, duhej shuar memorja kombëtare, duheshin shtypur, mashtruar, dhe, nga ana tjetër, njeriune zakonshëm shqiptar, shpesh herë me memdësinë e tij për jetën brenda familjes, i cili, pasi ka duruar deri ku nuk mban më, është i gatshëm të shpërthejë.
Dhe es këtyre dy antagonizmave , që lehtësisht mund të përplasen deri në fund, është ky njeri, me flokët që kanë filluar t’i bëhen të hirtë, me të folurën e ngadaltë, që dëshiron të rrijë ende rreth sofrës me shokët dhe miqtë, të këndojë; që, megjithëse në vitin 2001 nuk i ka shkelur me këmbë, dallon çdo fshat të krahinës nga mënyra e të folurit dhe peisazhit të tij, që zakonisht nuk përdor gjë tjetër veç ujit dhe çajit, herë pas here pak verë të kuqe; që ka mall për arën bri shtëpisë, që ende sot e kësaj dite mbetet sa njeriu i politikës, aq bujk e blegtor, ky njeri i falet altarit të besimit të njerëzve të mirë.

Rruga që ka bërë është e gjatë. Shumë e gjatë. Në nëntorin e vitit 2000, kur edhe lufta nuk kishte nisur, erdhi të më takonte në banesën time, ku vinte shpesh herë, ashtu si shkoja unë për të bujtur tek ai. Në shtëpi kishte libra të pafund, politikë dhe letërsi, të shënuara në cepet e faqeve ajo çka i interesonte, i kujdesshëm ndaj tyre. Kur po ndaheshim më tha se kishte ardhur dita, unë e dija se cila ditë, pasi ishte pjesë e përgatitjes së saj; më tha se një ditë të ardhshme, jo të largët, do më priste në Zajazin e tij, dhe se, për të shkuar tek ai, mund të kaloja ose përmes Tetovës, ose përmes Kërçovës. Unë kisha zgjedhur rrugën veriore, vija nga Kosova.

Kishte pak kohë nga përfundimi i luftës. Do të takoheshim me Aliun në selinë e sapo ngritur. Pastaj do të udhëtonim drejt Zajazit. Të nesërmen ai do të hidhte themelet e shtëpisë së tij, në fshat, ku banonin vëllezërit e tij.

Ali Ahmeti, pavarësisht se dokumentat ishin nënshkruar, firmat ishin hedhur, lufta kishte heshtur, paqja kishte rënë, ishte ende, në mentalitetin e tyre, armiku i maqedonasve. Ai shihej si njeriu që kishte bërë të pa menduarën dhe të pamundurën. Por, edhe i domosdoshmi që shteti të mbijetonte. E dija se qeveritarët, për ta hequr qafe, i kishin afruar një hartë, ku kishin shënuar një pjesë të vendbanimeve shqiptare, duke i thënë, “merri dhe shko bëju Shqipëri”,

Ishin më pak se gjysma e asaj që ishte vërtet Shqipëri. Pastaj, më tregoi ai, ku do të mbetnin krahinat e njohura shqiptare të Manastirit, Ohrit e Kumanovës, çfarë do të bëhej me shqiptarët ortodoksë, të cilët pushteti me dhunë i detyroi të ndërronin kombësinë e tyre etnike, po me gjuhën e traditat e atyre që do të mbetnin në Shkup, kudo në atë shtet të shpartalluar; po flamuri, kënga, tradita? Ai kishte thënë “jo, edhe këtu jemi Shqipëri, dhe në doni të ndërtoni paqe, e bëjmë, nëse doni përsëri luftë, ju qofshi…”.

Rrugës për në Zajaz, mes të tjerëve, ishin shoqërues edhe dy policë trupmëdhenj të etnisë maqedone. Ishin edhe shokët e tij, por ishte fillesa dhe gjithçka mund të ndodhte. Mund të përsëritej ajo që për pak desh ndodhi me 25 shtator 1998 në rrugën Tiranë – Ndroq – Durrës, ku njerëz të armatosur i zunë pritë, duke marrë zemër edhe nga fakti se miku i tij i madh, Fehmi Lladrovci ishte vrarë në luftë tri ditë më parë. Paslufta është po aq mizore sa edhe lufta.

Kur arritëm dhe po ndaheshim, befas Aliu i thirri dy policët maqedonas. I thashë “leri të shkojnë”, nuk i duroja dot, por ai u dha dorën, i pyeti për emrat, familjet, fëmijët, shkollimin, prindërit, u afroi cigare. Ndërsa po bisedonin, dy nga shoqëruesit shqiptarë të Aliut, njerëz të afërm të tij, deshën të afrohen, ai i largoi.

Biseduan edhe një copë herë. Befas u tha se unë isha nga Shkodra, se të nesërmen kisha ditëlindjen dhe se asaj dite, 20 prill, do të hapeshin themelet e shtëpisë së tij, pasi nuk e ka ndër mend më të lëvizë nga trojet ku janë varet e gjyshërve të tj, dhe ata, nëse duan, le të vijnë të shohin një festë shqiptarësh kur u kthehet biri.

Shkëmbyen edhe nga një cigare. Njëri prej tyre, pasi u përtyp gjatë, i tha se e kishte kërkuar tash sa vite ta vriste, se, edhe në Zvicër kishte qenë i gatshëm ta vrasë. Për mua ke qenë armik. Por, tash sa vite që përcjell ministra e kryeministra kurrë njëri prej tyre, dorën nuk më ka dhënë. As nuk më ka ditur emrin. Tash që po ndërton edhe shtëpinë e di se nuk ke ndër mend të ikësh më, e, kjo më mjafton për të dhanë besë.

Vërtet a ka qenë Ali Ahmeti armiku i shtetit maqedonas apo, ka ndodhur krejt e kundërta: ndërtuesi i një shteti modern perëndimor i mbetjes ish- jugosllave, një shtet ku nacionalizmi bën ende kërdinë e tij, por që, vetë fakti se përballë tyre ndodhet një forcë politike, e domosdoshme në drejtim, që pak i pak i zbut mençurisht, i bën të mendojnë se nuk ka më pushtet pa shqiptarët, e bën të domosdoshme përuljen e tyre ndaj një mendimi emancipues.

Ali Ahmeti ka qenë armiku i mirë i shtetit maqedonas, të cilin, pasi e mundi në luftë, dhe lufta në Maqedoni është pjesë e asaj që ndodhi në Kosovë për nga egërsia e shtetit, mori përsipër ta barazpeshojë, barazdrejtojë dhe të mos mbetet askush raja në vendin e tij.

Nuk është fjala për përqindje në qeveri, megjithëse ka rëndësinë e saj; nuk është fjala për përqindjet në administratë, pasi lufta dhe paqja e tij nuk ka të bëjë me përqindjet; nuk është thjeshtë ngritja e një rrjeti universitar të gjërë për shqiptarët, por tek mendësia e krijuar se tani e tutje shteti nuk mund të qeveriset pa mendimin poliik dhe vullnetin politik të shqiptarëve. Nëse veprohet ndryshe, ky shtet do të prishet. Nuk do të ekzistojë.

Mes dy mundësive, hiçit dhe bashkëjetesës, Ali Ahmeti u la partive politika maqedonase mundësinë e bashkëpunimit. Mes ndarjes dhe tkurrjes, apo krijimit të endëpsisë së shtetit për të gjithë, rruga e vetme ishte kjo e fundit. Nëse donin zhvillimin e gjuhës së tyre, duhet të njihnin zyrtarisht gjuhën dhe kulturën shqiptare. Flamurin. Të përkuleshin para të vrarëve shqiptarë në luftë. Të bëhej ndarja e re teritoriale e vendit, ku komunat me shumicë shqiptare të qeveriseshin nga përfaqësuesit shqiptarë.

Ai u mësoi se jo lufta, por mendja sjell prosperitet. Në 22 vite beteja politike nuk humbi asnjë, sepse përdori mendjen, duke detyruar shtetin maqedonas të vijojë rrugën drejt perëndimit.

Edhe ndërkombëtarët ishin skeptikë. Edhe për mjaft institucione, edhe në Shqipëri, deri në nivele të larta, Ali Ahmeti po sillej si armik. Kur e mësuan se, heshtja e pushkëve nuk është fundi i luftës, por fillesa e luftës së mendjes, ose heshtën, ose u jargavitën pas tij. Si mjaft “analistë”, “opinionistë” të pavarur, që vite më parë, kur lufta nisi, por edhe më pas, u bënë pjesë e korit të çjerrjes së njeriut armik, por që këto ditë dukeshin të lumtur pranë tij.

Shteti maqedonas, duam apo nuk duam, do të ndërtohet sipas vizionit dhe filozofisë politike të Ali Ahmetit, ose do të ketë një shkrirje të shpejtë. Ku nacionalizmi do e hajë nga brenda dhe e ardhmja do të jetë e largët. Do të ndodh kështu sepse Abazi i luftës dhe Ali Ahmeti i paqes, nuk është terroristi me të cilin synonin t’i trembnin të gjithë, edhe fëmijët e çerdheve, por armiku i mirë, që bëri të mundur të kuptohet se ky shtet nuk ka jetë më pa shqiptarët.

Kam shkruar për të në librin tim “I vërteti”, se Ali Ahmeti gjithë jetën kërkoi luftën, dhe, kur e gjeti atë, zgjodhi paqen. Çdo burrë bart gjurmët e lindjes së tij./ Dita

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit