Pas intervistës së mbrëmshme të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se ai përdori kodin e mafies për të dhënë mesazhe. Në një reagim, Bardhi kërkon nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj që të japin dorëheqjen për t’i hapur rrugë hetimit të tyre.
Reagimi i plotë:
Që Edi Rama dhe Erjon Veliaj janë kokat e aferës së inceneratorit të Tiranës dhe dy zyrtarët më të korruptuar të shtetit shqiptar, askush prej nesh nuk ka pritur ta mësojë nga Arben Ahmetaj, ish-bashkëpunëtori më i ngushtë i Edi Ramës për 20 vjet!
Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të ishin me kohë para drejtësisë për të dhënë llogari për vjedhjen e shqiptarëve. Por akoma nuk është vonë që kjo të ndodhë! Pas dëshmisë së vonuar të Arben Ahmetaj, Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të japin dorëheqjen dhe t’i hapin rrugë drejtësisë për një hetim të pandikuar dhe të paanashëm!
Faktet dhe të dhënat e përfshirjes së tyre në aferën korruptive të inceneratorëve dhe të disa aferave, për të cilat Arben Ahmetaj përdori kodin e mafies për të dhënë mesazhe, duhet të dalin në dritën e diellit nga drejtësia përmes një hetimi të plotë e të shpejtë! SPAK-u ka patur dhe ka aq prova në dispozicion sa duhet të kishte arritur tashmë një konkluzion për vënien para përgjegjësisë penale të Edi Ramës dhe Erion Veliajt!
Heshtja dhe çdo vonesë tjetër, qoftë edhe përmes mungesës së nisjes së hetimeve kryesisht, ngre dyshime serioze për besueshmërinë e SPAK-ut dhe minon pritshmëritë e larta të qytetarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të pushtetit.