Medlir Mema, profesor për marrëdhëniet dhe të drejtën ndërkombëtare në Amerikë në një lidhje me “Skype” për “5Pyetjet.al” analizoi situatën para zgjedhjeve të nëntorit, rivalitetin Trump-Biden, por edhe faktin se nëse rrezikon Kosova dhe çfarë ndodh në raportet me Shqipërinë nëse ish-Presidenti republikan rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Mema tha se nëse fiton, Donald Trump në qasje do të ishte më problematik ndaj Kosovës se Biden sepse është më i padurueshëm ndaj diplomacisë dhe është më i gatshëm për të dhënë “një apo dy copa toke të Kosovës në shkëmbim të një paqeje këtu ose aty”.
“Në lidhje me Kosovën, nëse shikojmë 4 vitet e zotit Trump dhe 4 vitet e Biden nuk shikoj ndonjë ndryshim të madh. E them me zhgënjim, pasi prisja politikë ndryshe nga Escobar apo ambasadori Hill në Serbi.
Duket se SHBA ka marrë një vendim që Serbia do të jetë partneri kryesor për paqen në rajon dhe jo Kroacia apo Shqipëria. Ndryshimi mes Biden dhe Trump është në formë dhe në përmbajtje.
Ka pasur vazhdimësi të një politike që amerikanët nuk janë të verbër, e kuptojnë lojën e Serbisë, por shpresojnë ta tërheqin nga orbita e Rusisë. Serbia luan një politikë që e ka luajtur si me Titon gjatë luftës së Ftohtë, as me këta dhe as me ata, dhe e mbyll pak syrin ndaj Rusisë.
Trump në qasje do të ishte më problematik ndaj Kosovës se Biden sepse është më i padurueshëm ndaj diplomacisë dhe është më i gatshëm për të dhënë një apo dy copa toke të Kosovës në shkëmbim të një paqeje këtu ose aty” tha ai.
Një zë i fortë për Diasporën dhe të drejtën e votës, Mema deklaroi se nëse politika shqiptare nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shqiptarët jashtë kufijve të votojnë vitin tjetër, atëherë “paralajmërimi është që cdo votim pa përfshirën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë është i paligjshëm. Ai parlament në 2025 është i paligjshëm, duhet të ketë zgjedhje me votën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Unë shpresat i kam” tha ai.