-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Një kapelë evropiane për “krizën e dinarit”

Kryesoret

A varet pensioni i serbëve të Kosovës nga shpejtësia e autoblindës që bart paratë fizikisht për në vendbanimet e Kosovës apo nga shpejtësia e transferit elektronik në sistemin bankar, kjo është pyetja tash?

Ka, qoftë edhe së paku për nevoja të këtij shkrimi, dy ligjërime evropiane lidhur me krizën e radhës në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të “krizës së dinarit”.

Tashmë u bënë nja dy javë e ca që ligjërimi kritik ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për të vendosur rregull në sistemin e pagesave po trajtohet si rrezikim potencial i gjendjes sociale të serbëve të Kosovës. Meqë tashmë njihet edhe zyrtarisht, nga Serbia dërgohen para për 87 mijë rroga, pensione, ndihma sociale dhe stimulim bujqësor, brenda një sistemi të mbyllur parashtetëror i cili operon me dinarë, ndalimi i transportit fizik (e operimit të tij si mënyrë legale pagese) po trajtohet si një veprim që mund të rrezikojë jetën normale të këtyre shfrytëzuesve. Dhe kjo brengë është e kuptueshme për faktin se ndalimi i qarkullimit fizik të dinarit është goditje në themel e sistemit financiar parashtetëror. Është edhe legjitime për vetë faktin se një sistem parashtetëror nuk është zëvendësuar qoftë me një transicion të qartë drejt një sistemi tjetër, qoftë me zëvendësimin imediat me një sistem tjetër.

Pra, nuk është për brengë fakti që ndalet prania fizike e dinarit, sepse as që e ka vendin si bazë e një sistemi pagesash parashtetërore, por është për brengë fakti se qytetarët që janë paguar deri para një jave me dinarë-qoftë për punë, pension a forma të përkrahjes sociale-nuk kanë gjetur një sistem tjetër që do t’ua jepte paratë në euro.

Kështu do të mund të reduktohej në interpretim mirëdashës e në themel ligjërimi evropian, njëherë kur të zhvishet prej një toni alarmist-qortues ndaj autoriteteve të Kosovës dhe ftues që edhe kjo çështje të kalojë disi në ndërmjetësim të zotërinjve Borrell dhe Lajçak.

2.

Ekziston edhe një ligjërim tjetër, që është përputhur në kohë dhe vetëm në dukje të parë nuk është i lidhur me “krizën e dinarit”. Është ligjërimi i “Planit të rritjes” të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që është ndërtuar brenda një logjike se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndihmohen me një fond prej 6 miliardë eurosh në reformat e duhura, në mënyrë që deri më 2030 të integrohen në Tregun e përbashkët evropian. Në samitin e fundit Ballkani Perëndimor-BE të mbajtur në Shkup në fund të janarit madje u tha shprehimisht se ky plan i rritjes, masat e të cilit do të bëhen të njohura së shpejti, është i dizajnuar ashtu që asnjë shtet nuk mund ta pengojë tjetrin në reformimin dhe hyrjen në Tregun e përbashkët evropian.

Në fjalët e njërit prej diplomatëve kryesorë të angazhuar në këtë projekt e të shqiptuara në Shkup : “Ne u angazhuam të punojmë për një sërë reformash specifike, duke filluar me transportin më të lehtë të mallrave dhe parave që do të fillojnë , gjatë këtij viti, të tregojnë efekt praktik. Njëri prej tyre do të ulë kostot e lëvizjes së parave me rreth 3 deri në 5% për çdo transaksion. Janë para në xhepat e njerëzve. Ai lehtëson lëvizjet ndërkufitare të monedhës”.

Në këtë ligjërim supozohet se brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë këtij viti do të lëvizin paratë prej njërit në shtetin tjetër lirisht e me më pak kosto se deri tani. Dhe në këtë ligjërim jo që nuk ekziston “kriza e dinarit”- por flitet për një kategori tjetër lëvizje parash, që është krejtësisht tjetër prej asaj të dinarit që futet si para e gatshme në kamionë të blinduar dhe shpërndahet fizikisht nëpër vendbanime me shumicë serbe në Kosovë.

Nga ky këndvështrim problemi i lëvizshmërisë së parasë nuk matet me shpejtësinë e veturës së blinduar që i bart paratë prej kufirit Kosovë-Serbi drejt shfrytëzuesve të këtyre brenda Kosovës, por në eliminimin e pengesave juridiko-ekonomike në transferin elektronik ndërbankar.

3.

Ndonëse në dukje të parë ekziston mospërputhje mes dy ligjërimeve evropiane, kushtimisht të quajtura të “autoblindës” dhe “tranferit elektronik”, ajo në fakt mund të shndërrohet në ligjërime komplementare. Pra, po, në të njëjtën kohë flitet për një problem që është shkaktuar prej ndërprerjes së anakronizmit të bartjes së parasë me autoblindë përtej kufirit dhe flitet për mënyrën se si të lehtësohet transferi i tanishëm elektronik i parasë përtej kufijve.

Nëse ekziston, kjo mospërputhje lehtë eliminohet konceptualisht me refuzimin e mundësisë që të kthehemi te qasja e autoblindës. Pra, jo, nuk do të ketë më dinarë që do të hyjnë në kufi, të barten fizikisht nëpër vendbanime të Kosovës dhe t’iu shpërndahen shfrytëzuesve përfundimtarë si pjesë e një organizimi parashtetëror. Nga ky zinxhir i bartjes duhet eliminuar konceptin e kalimit fizik në kufi, konceptin e parasë fizike dhe konceptin e sistemit parashtetëror që e bën distribuimin (strukturat paralele të Serbisë në Kosovë).

Megjithatë do të mbetet pjesa më e rëndësishme e këtij përshkrimi e drejta dhe obligimi që qytetarët serbë të Kosovës të marrin pensione, ndihmë sociale dhe donacion legjitim për punët që i zhvillojnë në fushat që Serbia i konsideron si parësore (arsim dhe shëndetësi).

Dhe kjo e drejtë e obligim, ndonëse ka të bëjë me një problem të vockël në Ballkanin Perëndimor, mund të gjejë zgjidhje në një vizion më të gjerë evropian për Ballkanin Perëndimor. Nëse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar hiç më pak se para dy javësh që paraja të lëvizë në mënyrë elektronike mes vendeve të tyre për nja 3-5 për qind më lirë në komisione se deri tani, atëherë në këtë kontekst duhet të shihet edhe lëvizja e parasë prej Serbisë për në Kosovë dhe anasjelltas. (Kjo çështje madje tejkalon edhe kontekstin e tanishëm të problemit rroga e pensione dhe ka të bëjë edhe me pagesat mes afaristëve të Kosovës dhe Serbisë e me rritjen e vëllimit të tregtisë mes këtyre dy vendeve).

Do të ishte jashtë logjikës që BE-ja të kërkojë shpejtësinë dhe uljen e komisioneve për lëvizjen elektronike mes gjashtë shtetesh të Ballkanit Perëndimor e disa javë më vonë t’u thuhet Kosovës e Serbisë që të gjejnë një modalitet që është tjetër fare, që nuk ka as elementin elektronik të transferit, as shpejtësinë e as uljen e kostos së transferit për qytetarët e këtyre dy vendeve.

4.

Pra qenka lehtë e zgjidhshme?

E zgjidhshme po, lehtë jo.

Janë dy çështje që kanë nevojë për vëmendje të veçantë.

Njëra është se si të bëhet kalimi prej një sistemi pagesash parashtetëror (sistemi paralel) ku qytetari serb tani ndihet i obliguar të marrë pjesë (madje me dëshmi besnikërie në nënshkrim, votim etj. ndaj shtetit të Serbisë) në një sistem të hapur ku llogaria e tij bankare nuk ka të bëjë me besnikëri ndaj kujt, por shërben për të shfrytëzuar të drejtën e tij për të marrë pension, ndihmë sociale , rrogë apo donacion.

E dyta është se si të bëhet brenda koordinatave të një vizioni më të madh, atij të Planit evropian të rritjes, në të Kosova dhe Serbia do të shfrytëzojnë këtë rast për të vendosur një transicion të shkurtër mes gjendjes së tanishme të pagesave dhe asaj të rritjes të shpejtësisë elektronike të qarkullimit financiar mes dy shteteve. Përfituesit imediat të një transicioni të këtillë do të ishin serbët e Kosovës të cilët brenda javësh do të merrnin pagesat në euro në xhirollogaritë bankare. Por njëkohësisht edhe Serbia e Kosova do të tejkalonin “krizën” e tanishme me një vizion evropian.

Megjithatë, kjo nënkupton që dy shtetet duhet të bashkëpunojnë, dhe kjo është treguar deri tani një gjë jo e lehtë./ Koha

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit