Rezultoj një përballje spektakolare ajo e “Olimpicos” mes Romës dhe Interit.
Përmbysje dhe ripërmbysje, një përballje me 6 gola, ku në fund triumfoi Interi me shifrat 2-4.
Roma e De Rossit po dhuron një futboll të bukur siç e ka konfirmuar dhe në ndeshjet e fundit, por Interi ka siguruar skemën e tij fituese duke nisur një marshim të pandalshëm.
Nerazzurrët pushtuan “Olimpicon” dhe nisën në mënyrën më të mirë të mundshme vitin e dragoit në kalendarin kinez.
Acerbi ndezi festën zikaltër në minutën e 17-të, teksa realizoi me kokë, ndërsa për konfirmimin e golit u desh ndërhyrja e sistemit VAR. Të besuarit e De Rossit përmbysën sfidën brenda fraksionit, me Mancinin dhe El Sharaawyn.
Djemtë e Inzaghit u futën me shumë dëshirë në pjesën e dytë dhe kthyen gjithçka në favorin e tyre. Fillimisht Thuram barazoi shifrat, ndërsa Angelino shkaktoi autogol më pas.
Interi mbrojti me fanatizëm rezultatin deri në fund, madje “tundi rrjetën” edhe me Bastonin, për të shkuar në kuotën e 60-pikëve në krye, 7 pikë larg ndjekësit më të afërt. Në krahun tjetër, Roma e vendit të pestë zbret me këmbë në tokë, pas disa fitoreve radhazi që kur erdhi De Rossi.









