Izraeli ka kryer sulme ajrore në mbarë Gazën, duke vrarë të paktën 18 persona gjatë natës të shtunës dhe gjatë të dielës, më 18 shkurt, thanë mjekët dhe dëshmitarët, përderisa Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se do të vendosin veto në një draft-rezolutë të re në Kombet e Bashkuara që bën thirrje për armëpushim.
Aleati kryesor i Izraelit, Uashingtoni, tha se në vend të rezolutës favorizon më shumë që të arrihet një marrëveshje armëpushimi dhe lirim i pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe ajo synon të arrihet një zgjidhje më të gjerë për konfliktin izraelito-palestinez.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ha hedhur poshtë kërkesat “absurde” të Hamasit dhe ka refuzuar thirrjet e SHBA-së dhe të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë për një rrugë drejt shtetësisë palestineze.
Të dielën, kabineti i tij miratoi një deklaratë duke thënë se Izraeli në “mënyrë kategorike refuzon thirrjet ndërkombëtare për një marrëveshje të përhershme me palestinezët” dhe duke refuzuar njohjen e njëanshme të një shteti palestinez, i cili “do të ishte çmim i madh për terrorin” pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit që nxiti luftën./REL