Nesër opozita do të protestojë në 17:30 përpara Kryeministrisë. Policia e Shtetit ka marrë masat duke vendosur mbi një mijë policë në gatishmëri për të shmangur incidentet. Garda, RENEA dhe FNSH do të jenë në gatishmëri totale.
Do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Segmentet rrugore që janë të bllokuara 2 orë para nisjes së protestës derin në përfundim të saj janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”. Kryeministri pritet që të mos jetë në zyrë, pasi sipas axhendës do të udhëtojë drejt Turqisë.