Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se duhet të dialogohet mënyra e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.
Hovenier i ka bërë këto deklarata gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Ai ka thënë se dialogu mund të mos jetë vendi më i përshtatshëm për të diskutuar çështjet e brendshme të Kosovës, por që tema e dinarit duhet të negociohet, pasi Kosova ka dhënë zotim për t’i mbrojtur komunitetet pakicë.
Hovenier ka insistuar që Shtetet e Bashkuara nuk janë duke e sfiduar përgjegjësinë dhe autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe as nuk po e mbrojnë dinarin, por janë të shqetësuara për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së.
“Ka ndikim të drejtpërdrejtë te individët që janë më të cenueshëm”, ka thënë Hovenier duke e marrë shembullin e ndonjë të moshuari 70-vjeçar që është mësuar që të shkojë në një zyrë për të marrë pensionin.
Mes tjerash, Hovenier ka thënë se Serbia nuk duhet të ketë veto për mënyrën e ofrimit të ndihmës, por duhet të diskutohet kjo çështje.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti – e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme në Kosovë.
Kjo rregullore i ka prekur komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi në to përdoret edhe dinari serb.
‘Huti’ për idenë e një konference ndërkombëtare
Hovenier është shprehur i hutuar nga pyetja nëse ekziston mundësia e organizimit të një konference ndërkombëtare për marrëveshjes me Kosovës dhe Serbisë.
“Ne e kemi një marrëveshje të mirë, të arritur pothuajse një vit më parë”, ka thënë Hovenier, si referencë për pajtueshmërinë e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, për zbatim të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ai ka rikujtuar që si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë marrëveshjen si të obligueshme për të dyja palët, dhe krejt çfarë duhet tani është gatishmëria për të punuar në zbatimin e saj.
“Por, ne jemi të zhgënjyer që nuk është duke ndodhur diçka e tillë”.
Në mesin e kërkesave kryesore për Kosovën, ai e ka përmendur formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./REL
Lexo KËTU shkrimin e plotë