-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Anastas Angjeli: Samiti BE dhe plani i zgjerimit

Kryesoret

Pas përfundimit të Samitit për Ukrainën, i cili u zhvillua në dt. 28 shkurt, këtu në Tiranë, dje, më dt. 29 shkurt, po në Tiranë, zhvilloi dhe përfundoi punimet një samit tjetër i rëndësishëm, ai midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus Planin e Zgjerimit të BE (Plani i rritjes dhe konvergjencës së BE për vendet e Ballkanit Perëndimor).

Që prej fillimit të Procesit të Berlinit, janë zhvilluar disa Samite BE-Ballkani Perëndimor, dy prej të cilëve këtu në Tiranë. Natyrisht janë disa faktorë dhe elemente që përcaktojnë faktin dhe i përgjigjen pyetjes “Pse në Tiranë?”. Kjo është e lidhur me faktin se Shqipëria konsiderohet si vend me stabilitet në rajonin tonë, me një agjendë reformash të realizuara në përgjithësi, me një angazhim të vendosur euroatlantik, me një rol të konsiderueshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm, për vendosmërinë në rrugën e integrimit europian.

Dhe duhet pranuar se “presioni” pozitiv i kryeministrit Rama ndaj BE për integrimin e vendeve të rajonit ka qenë shumë i madh dhe i “fortë”. Aq sa edhe vetë komisioneri për Zgjerim e pranoi se, “plani i zgjerimit dhe konvergjencës u ‘ngjiz’ në Tiranë”. Por, çfarë është dhe çfarë sjell ky plan? Ky plan erdhi si rrjedhojë e vendimmarrjes së vendeve të BE për të mos i lënë vendet e Ballkanit Perëndimor në paradhomë, në pritje pa fund, por t’i afrohen finishit të këtij “rrugëtimi të gjatë, jo të lehtë”, por të ecin përmes mbështetjes në rrugën e zhvillimit dhe integrimit final, me mbështetjen e tyre financiare, me kushtin që të plotësojnë reformat e mbetura.

Prandaj, ky plan duhet parë si shans, një mundësi e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik e social të vendit dhe realizimit të reformave të integrimit të vendit dhe të rajonit, pasi plani i zgjerimit parashikohet të zbatohet nëpërmjet një instrumenti të ri financimi (prej 6 miliardë) euro i Reformës për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor.

Ky plan bazohet në 4 shtylla:

Shtylla e parë:- Afrimi i Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së. Sipas kësaj shtylle, Bashkimi Europian do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme ekonomike për bizneset dhe për qytetarët e tij. Njëherësh, partnerët e Ballkanit Perëndimor do të duhet të ndërmarrin reforma themelore, sipas acquis dhe të përmbushin detyrimet e tyre në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal. Shtatë janë fushat prioritare, ku do të fokusohen reformat në funksion të këtij qëllimi:

-Lëvizja e lirë mallrave (në tregun rajonal dhe atë europian).

-Lëvizjes së lirë të shërbimeve dhe fuqisë punëtore (gjithashtu).

-Qasje e re në Zonën e Pagesave në Euro. Kujtojmë këtu takimin e këtyre ditëve të ministerialit në Tiranë edhe me këtë fokus.

-Lehtësimit të transportit rrugor.

-Integrimit dhe dekarbonizimit të Tregjeve të Energjisë, në kuadër të zhvillimit të tranzi cionit të gjelbër dhe fokusit dhe mbështetjes financiare për bujqësinë dhe energjinë e pastër.

-Tregut të Unifikuar Digjital, si instrument universal komunikimi dhe shërbimi mes vendeve të rajonit dhe tyre dhe vendeve të BE-së.

-Integrimit në zinxhirët e furnizimit industrial.

Shtylla e dytë – Thellimi i integrimit ekonomik rajonal brenda Ballkanit Perëndimor. Falë fillimit të punës gati më shumë se 20-vjeçare në këtë drejtim (me realizimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë EFTA, CEFTA, marrëveshjet bilaterale mes shteteve të rajonit dhe rajonale) themelet e këtij tregu janë hedhur. Zhvillimi i mëtejshëm i një Tregu të Përbashkët Rajonal konsiderohet thelbësor edhe për dy arsye: për të zhbllokuar potencialin ekonomik të rajonit, për të krijuar mundësi për biznesin dhe fuqinë punëtore (hapjen dhe zhvillimin e tregut të punës) dhe për ta bërë Ballkanin Perëndimor një vend më tërheqës për investitorët evropianë.

Krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal, sipas të dhënave të BE, vlerësohet se do të shtonte 10 %të Prodhimit të Brendshëm Bruto të rajonit, në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Arsyeja tjetër e rëndësishme bazohet në miratimin dhe zbatimin e standardeve të BE-së, që është një hap drejt Tregut Unik të BE-së. Kjo dikton një vëmendje të veçantë për prodhimet e vendeve të rajonit, për të qenë sipas standardeve të BE.

Shtylla e tretë është: Përshpejtimi i reformave themelore

Procesi i gjatë dhe i vështirë i integrimit europian ka kaluar përmes reformash të gjithanshme të demokracisë funksionale, të drejtësisë, atyre strukturore të ekonomisë, të sistemit financiar e bankar, të çmimeve, tatimeve, taksave e tarifave. Por në fazë e tanishme për të rritur konvergjencën socio-ekonomike, partnerët e Ballkanit Perëndimor do të duhet të ndërmarrin reformat e mëtejshme në fushat bazë dhe drejtime të rëndësishme.

Secili partner i Ballkanit Perëndimor do të përgatisë një agjendë reformash me një sërë reformash prioritare të ndara në piketa, të ashtuquajturat “kushtet e pagesës”. Përfundimi i tyre do të nxisë lirimin e fondeve nga Plani i ri i Zgjerimit. Kjo do të thotë se këto përbëjnë kusht për financimin e projekteve nga BE, sipas këtij programi. Kështu që përshpejtimi dhe realizimi i këtyre reformave në përgjithësi dhe ato sipas një strategjie rritjeje që konsideron edhe tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e sektorëve të shërbimeve që krijojnë vende pune (turizmi, shërbimet financiare, digjitale etj.) do të mundësoj përmirësimin e rritjes ekonomike, duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal si dhe ndihmën ndaj partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE.

Shtylla e katërt: Rritja e ndihmës financiare. Bashkimi Europian për realizimin e strategjisë së rritjes dhe konvergjencës për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga herët e tjera, po propozon një instrument të ri financimi: një lehtësi reforme dhe zgjerimi për vendet e Ballkanit Perëndimor prej 6 miliardë eurosh, mbështetje financiare totale për 2024-2027,duke kombinuar grantet dhe huat koncesionare. Ky instrument i ri, pasi të miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, do të plotësojë ndihmën aktuale financiare në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit (IPA III). Kjo lehtësi do të ofrojë një mbështetje financiare totale maksimale prej 6 miliardë euro si më poshtë:

-2 miliardë euro grante në pritje të marrëveshjes për rishikimin e Kornizës Financiare Shumëvjeçare.

-4 miliardë euro kredi me koncesion.

Natyrisht, funksionimi i kësaj lehtësie financiare ka rregullat dhe procedurat e saj. Kështu, një minimum prej 3 miliardë eurosh (2 miliardë euro grante dhe 1 miliard euro kredi të favorshme) do të shkojnë për investime përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF). 3 miliardë euro të mbetura në kredi të favorshme do të përfitojnë qeveritë në Ballkanin Perëndimor, me kusht që ato të përmbushin Agjendat e Reformës. Pagesat do të bëhen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të paraqitura nga partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe pas verifikimit nga Komisioni për arritjen e kushteve dhe parakushteve përkatëse të pagesës, si stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit.

Nëse kushtet e pagesës nuk plotësohen, Komisioni do të pezullojë ose do të zbresë një shumë përkatëse nga pagesa. Partneri i Ballkanit Perëndimor do të ketë 1-2 vjet kohë për të përmbushur kushtet, në të kundërt shuma do të rishpërndahet mes të tjerëve në vitet në vijim. Shansi dhe mundësia që hap “Programi i Zgjerimit të BE (Programi i rritjes dhe konvergjencës me vendet e Ballkanit Perëndimor) janë një thirrje për vendet e Ballkanit Perëndimor për përfitime dhe mbështetje financiare për zhvillim të merituar përmes vazhdimit të reformave të kërkuara me standardet e BE-së në të gjitha fushat, për realizimin e projekteve zhvilluese për secilin vend dhe ato me karakter rajonal, që kërkojnë një startim të ri në kryerjen dhe realizimin e tyre, për të finalizuar integrimin europian.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit