Shqipëria publikoi të hënën raportin për Parkun Kombëtar të Butrintit, që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, në Indi, në korrik të këtij viti. Raporti prej 170 faqesh i Ministrisë shqiptare të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit anashkalon përgjigjet për disa nga kritikat e forta të misionit të UNESCO – ICOMOS.
Në raportin e monitorimit, që iu dorëzua autoriteteve shqiptare në shtator të vitit 2023, misioni i UNESCO-s shprehte “shqetësim të thellë” për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit nga qeveria shqiptare me heqjen e 600 hektarëve pa dijeninë dhe miratimin e organizatës.
Por sipas dokumenteve zyrtare, të para nga Zëri i Amerikës, nga Parku Kombëtar i Butrintit janë hequr 802 hektarë dhe sipërfaqja nga 9424 hektarë që ishte, tani është 8622 hektarë.
Vendimi i qeverisë shqiptare në janar të vitit 2022 për kufijtë e rinj të Butrintit dhe vendimi i një muaji më vonë për ndërtimin e një resorti në pjesën e hequr nga Parku Kombëtar nuk citohen në asnjë rresht të raportit të qeverisë shqiptare.
Po ashtu, raporti i palës shqiptare nuk u jep përgjigje konkrete kritikave të UNESCO-s edhe për modelin e ri të menaxhimit të qytetit antik të Butrinit, të njohur si zona A-3, përmes një organizate jofitimprurëse (Fondacioni) të krijuar nga Ministria shqiptare e Kulturës në partneritet me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF).
Misioni i UNESCO-s thotë në raportin e vitit 2023, se menaxhimi vetëm i zonës A-3 me rreth 614,3 hektarë, nuk përmbush kërkesat e UNESCO-s për një menaxhim të integruar të Butrintit, që kombinon arkeologjinë, monumentet dhe pjesën natyrore.
Misioni i UNESCO-s ka kërkuar gjithashtu që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin e “shtetit palë” për Butrintin, ku organizata kërkon përgjegjësitë shtetërore në përputhje me standartet botërore të vendosura nga UNESCO.
Lexoni KËTU shkrimin e plotë