Dy palët tradicionale të politikës shqiptare kanë shprehur në mënyrë të fshehtë dhe të hapur gjatë ditëve të fundit gadishmërinë për kompromis politik. Ndërsa kompromisi nuk është në vetvete negativ, historia e binomit Rama – Berisha dhe shenjat aktualisht të pranishme në fushën e lojës flasin për rrezikun e cënimit të reformës në drejtësi, gjë që nuk duhet të ndodhë.
Ka një term që quhet dark chess dhe që nënkupton një lojë, në të cilën, lojtarët kanë informacion vetëm për pozicionimin e disa prej ushtarëve, apo gurëve të tjerë të lojës në tabelë dhe janë në errësirë të pozicionimit të pjesës tjetër. Kjo është ajo çfarë duket se po u luhet shqiptarëve nga të dy palët politike kryesore të vendit, grupi i Edi Ramës dhe socialistëve dhe grupi i Sali Berishës dhe “Rithemelimit”.
Edi Rama, kryeministër nga viti 2013, kryetar i Partisë Socialiste, pasi ka dy vjet që këmbëngul se nuk ka në plan të bëjë marrëveshje me “nongratën”, duket tashmë i gatshëm fët e fët të arrijë kompromise sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Gazmend Bardhi dhe deputetët mbështetës, pasi kanë muaj të tërë që flasin për “mosbindje civile” dhe hedhin flakadanë, duket të gatshëm të arrijnë të njëjtën marrëveshje.
Ndërsa zyrtarisht flitet për postin e bashkëkryetarit të komisionit të reformës zgjedhore apo për “dy komisione” hetimore parlamentare, gojët e liga thonë se pjesë e pazarit janë parcelat ndërtimore në zonat aktualisht të pambrojtura mjedisore në bregdet si dhe Reforma në Drejtësi, specifikisht, SPAK.
Duke parë historinë, gjëja kryesore që mund të thuhet është se nën emra të ndryshëm, marrëveshje të tilla mes dy palëve politike dominuese në Shqipëri janë bërë shpesh pa transparencë dhe në kurriz të qytetarëve.
Kësaj here, shenjat për gadishmëri për mirëkuptim u shfaqën në të ashtëquajturin ligj për amnistinë, i cili, përfshiu, në instancë të fundit edhe faljen e 1 deri në 1.5 vjet burg të të dënuarve nga GJKKO.
Partia e Rithemelimit, e cila deri në atë pikë ishte, në mënyrë figurative, duke i vënë flakën parlamentit në emër të “mosbindjes civile” u shfaq e gatshme të votonte për t’u tërhequr në çastin e fundit.
Ndërsa është afër mendësh dhe gjerësisht e diskutuar gjatë javëve të fundit se aktualisht, hetimet e SPAK kanë krijuar një situatë ku të dyja palët, PS dhe PD-Rithemelimi, mund të jenë të gatshme të votojnë dobësimin e reformës në drejtësi për të mbrojtur vetveten nga rreziku i burgut.
Instrumentet më të afërta të një kompromisi të tillë pro-korrupsion dhe anti-SPAK janë: diskutimet për një “reformë teknike” dhe një projekt për kod të ri penal, i cili, nëse miratohet siç është në gjendjen aktuale, vret aftësinë e prokurorëve për të dënuar dy vepra penale kyçe: abuzimin me detyrën dhe shkeljen e barazisë në tenderë.
Që të jemi të qartë deri në fund, duket të theksojmë se puna e SPAK dhe e GJKKO-së deri më tani, ndonëse përbën një ndryshim themelor përkundrejt të shkuarës, është ende as në fillesat e fillesave për të kryer një luftë efikase dhe, mbi të gjitha, në qëndrueshmërinë kohore dhe ashpërsinë e nevojshme për të shkurajuar zyrtarët që të korruptohen dhe për të frymëzuar besim te qytetarët se sistemi kushtetues i kontrollit të ekzekutivit dhe ligjvënësit nga drejtësia është në fuqi dhe funksional.
Fakti është që hetimet e SPAK dhe dënimet e GJKKO-së duken tmerrësisht të pamjaftueshme për të realizuar objektivin thelbësor të reformës në drejtësi, i cili është “rikthimi i besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë”.
Dhe nëse shikohen arritjet e deritanishme, nuk është e mundur të mos e vëresh se nga të tetëmbëdhjetë prokurorët ekzistues, janë dy apo tre ata që kanë urdhëruar hetime serioze për zbulimin dhe dokumentimin e korrupsionit serioz.
Nga ana tjetër, fakti që korrupsioni ka qenë prej kaq shumë kohësh i pahetuar seriozisht duket se e ka lënë klasën politike kaq të çlirët dhe kaq të shkujdesur në korrupsionin e vet, sa edhe një institucion jo shumë i fortë apo një prokuror jo me shumë vullnet, ta ketë të vështirë të mbyllë sytë përballë fakteve flagrante.
Në këtë kontekst, duket se palët historike kanë një shqetësim të përbashkët. Një prokurori speciale jo tërësisht nën kontrollin e tyre, gjë që, shoqëruar me disa shenja publike të dhëna deri tani, japin sinjalin se kompromisi politik, jo vetëm që mund të parashikojë komisione hetimore apo seanca normale parlamentare, por edhe një goditje të përqendruar kundër reformës në drejtësi.
Qytetarët bëjnë mirë të mbajnë sytë hapur për të parë se çfarë do të prodhojë kjo “marrëveshje” e radhës.