Evis Berberi, kreu i ARRSH-së i arrestuar nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Bashkë me të edhe dy personat që janë arrestuar si bashkëpunëtorë të tij, Valter Begaj dhe Ervis Lami. Sipas Tv Klan, SPAK ka sekuestruar celularin e Berberit gjatë hetimeve ku ka zbuluar të gjitha komunikimet mes tij, Begajt, Lamit dhe Brunilda Bulit.
Këto komunikime janë kryer kur ai ishte në krye të Agjencisë së Eficencës së Energjisë dhe ARRSH-së. Në një nga bisedat Begaj i shkruan Lamit: 20 te Enis, 20 te Berberi. Ndërkohë Ervis Lami i shkuan Brunilda Bulit, “Si e keni situatën me coronavirusin? Më nis një foto, po bëj gati dokumentet për t’u fut në tender, po bej kontratën”.
SPAK beson se me anë të dy kompanive private të administruara së bashku, ligjërisht dhe indirekt, të arrestuarit për këtë çështje vunë në jetë skemën korruptive dhe të pastrimit të parave.
Në një njoftim zyrtar Prokuroria tha se i arrestuari Valter Begaj, administrator i kompanisë Net Group SHPK, përfitoi 3 tendera në kohën kur Berberi ishte Drejtor i Përgjithshëm për Eficencën e Energjisë me vlerë totale 137.4 milionë Lekë dhe 3 tendera të tjerë, me vlerë 101.8 milionë Lekë, kur ai drejtonte ARRSH-n.
Për fitimin e këtyre tenderave, kjo kompani rezulton se i ka kaluar në rrugë bankare mbi 223 milionë Lekë kompanisë tjetër DAAM SHPK, për të cilën SPAK thotë se ishte në zotërim indirekt nga Evis Berberi, por administrohej nga i arrestuari tjetër Ervis Lami me bashkëortak Valter Begajn.
Hetuesit dyshojnë se këto vlera monetare janë investuar në pasuri të paluajtshme të blera nga kompania DAAM SHPK, duke çuar kështu në tjetërsimin e tyre me qëllim pastrimin e parave të përfituara nga korrupsioni.