-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: 25 vjet dhe e vërteta

Kryesoret

Edhe një çerekshekull pas çlirimit të Kosovës nga NATO-ja, apologjetët e Slobodan Milosheviqit në disa hapësira në Perëndim vazhdojnë të manipulojnë me fakte. Kundërshtimi i tyre duhet të jetë pjesë e vetëdijes shtetformuese të shoqërisë së Kosovës dhe jo vetëm angazhim individual

Para disa netëve në televizionin publik gjerman ZDF po debatohej për luftën në Ukrainë. Njëri nga mysafirët ishte Gregor Gy si, politikan i partisë Die Linke (E Majta), e cila gjendet para kolapsit. Sidoqoftë, Gysi vazhdon të jetë i pranishëm në debatet publike edhe për shkak se ka talent për retorikë brilante (edhe atëherë kur e lakon të vërtetën). Në debatin në ZDF, Gysi tërthorazi e amnistoi Rusinë duke ua ngarkuar fajin Perëndimit dhe NATO-s për luftën në Ukrainë. Ndërhyri Sabine Fischer, një eksperte e Ukrainës dhe Rusisë, dhe nisi ta qortojë Gysin. Ky ia preu fjalën me pyetjen: “Mendoni se lufta kundër Serbisë ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?” Fischer: “Kjo është një temë krejt tjetër”. Gysi nisi të zgërdhihej me cinizëm.

Skena të tilla ka shpesh në debatet në mediat perëndimore. Kjo ndodh edhe për shkak se 25 vjet është periudhë e gjatë, ata që më 1999 kanë qenë njohës të mirë të Ballkanit kanë vazhduar karrierat e tyre në fusha të tjera, disa tashmë kanë arritur moshën e pensionit, e disa edhe mund të mos jenë fare në këtë botë.

Kundërshtimi i propagandës kundër ndërhyrjes së NATO-s do të duhej të ishte pjesë e vetëdijes shtetformuese të shoqërisë së Kosovës. Nuk ka qenë me vite, nuk është as tani. Sado e domosdoshme dhe fisnike të kujtohen të gjitha viktimat e luftës, nganjëherë fitohet përshtypja sikur politikanët e Kosovës orarin e tyre e fillojnë dhe e mbarojnë nëpër tubime rutinore përkujtimore dhe me shënime të shkurtra e të gjata në mediat sociale. 25 vjet pas luftës ende flitet për themelimin a konsolidimin e një instituti për dokumentimin e krimeve të luftës. Me 25 vjet vonesë! Profesionalizëm nuk shihet gati askund në trajtimin e kësaj teme, ndërkohë që shpesh, pa asnjë kriter, zbulohen përmendore e buste. Republika e Kosovës i ngjan një parku të madh përmendoresh.

Para gati dy vjetësh një shtëpi botuese gjermane më dërgoi dorëshkrimin e një libri të një gazetari gjerman mbi shpërbërjen e Jugosllavisë. Kapitulli për Kosovën vlonte nga klishetë. Në njërën anë pala serbe “me traditën moderne shtetërore”, në anën tjetër shqiptarët me gratë e tyre me dimi dhe me shtëpitë me mure të larta. Këto mure të larta, sipas autorit, paskëshin pamundësuar kontaktin me serbët. Një tendencë tjetër ishte që faji për krimet serbe në Kosovë t’u ngarkohej njësive policore e paramilitarëve dhe të mbrohej disi ushtria serbe. Dihet se ajo ushtri ka qenë aktivisht e përfshirë në krimet mbi popullsinë civile shqiptare. Një gjë e tillë nuk thuhej në mënyrë eksplicite në dorëshkrim. Pas një intervenimi nga autori i këtij shkrimi, disa gabime e shtrembërime u korrigjuan nga shtëpia botuese, ndonëse jo në atë masë që kisha kërkuar dhe që ishte e nevojshme.

Edhe ky rast tregoi se një individ nuk mund të bëjë kthesa prej 180 shkallësh. Sërish: kundërshtimi i propagandës kundër ndërhyrjes së NATO-s do të duhej të ishte detyrë edhe e institucioneve të ndryshme, universiteteve, rretheve akademike, publicistëve, shoqatave të kulturës, shkrimtarëve. Nga kjo qasje Kosova është larg, sepse debati publik dhe vetëdija shtetformuese kanë ngecur në tentimet mes taborëve politikë për t’ua nxjerrë sytë njëri-tjetrit dhe në përpjekjet e sharlatanëve për të manipuluar historinë për interesa të politikës ditore dhe ëndrrave për të kapur apo mbajtur pushtetin me çdo kusht e mjet. Kur ushqim i përditshëm bëhet cinizmi, viktima e parë është interesi publik. Është harruar që shtetësia e Kosovës duhet të mbrohet sidomos me fakte. Jo me tregim të muskujve.

Apologjetët e Slobodan Milosheviqit në Perëndim vegjetojnë te e majta dhe te e djathta ekstreme. Por ka edhe gazetarë që pretendojnë se ndërhyrja e NATO-s nuk i ndali krimet serbe, në fakt ndërhyrja vetëm e paskësh nxitur regjimin serb të vrasë edhe më shumë shqiptarë. Pra, fajtore na qenka NATO-ja?! Sipas kësaj logjike pa logjikë.

E vërteta: para intervenimit të NATO-s regjimi i Beogradit kishte vrarë mijëra civilë në Kosovë, kishte shkatërruar dhjetëra mijëra shtëpi dhe kishte përndjekur qindra mijëra njerëz. Pa ndërhyrjen e NATO-s, Milosheviqi do të kishte vazhduar të zbatonte planet e tij – ndoshta me intensitet pak më të ulët se gjatë bombardimeve të NATO-s. Faleminderit për këtë humanizëm!

Shpesh në debatet publike gufon polemika nëse forcat serbe në Kosovë kanë kryer gjenocid apo jo. Në vështrimin e ftohtë juridik puna është kështu: nuk ka vendim të një gjykate relevante dhe përkatëse ndërkombëtare që konfirmon se në Kosovë është kryer gjenocid. Por ndoshta na ndihmon qëndrimi i Kofi Ananit, sekretar i përgjithshëm i OKB-së, i cili më 1999 fliste për një përpjekje për gjenocid në Kosovë dhe për domosdoshmërinë e ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur spastrimet etnike. Në Bosnjë shtetet perëndimore nuk ia dolën të parandalonin gjenocidin në Srebrenicë. Barrierat juridike për të dëshmuar gjenocidin janë vërtet të larta, por në rastin e Kosovës është plotësisht legjitime që fushata e terrorit e Beogradit të konsiderohet së paku përpjekje për gjenocid. Por më i rëndësishëm se debati e polemikat për nocionin gjenocid është dokumentimi i krimeve dhe mbrojtja e të vërtetës që shpesh kontestohet nga ideologët e ndryshëm.

Sa i përket legjitimitetit të ndërhyrjes së NATO-s: është e vërtetë që intervenimi ndodhi pa pëlqimin eksplicit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por kjo ndodhi për shkak të vetos ruse, pra për arsye se Moska keqpërdori të drejtën e vetos për interesat e saj. Ka ndodhur disa herë që vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërcënimin me veto apo përdorimin e vetos mundohen ta shesin si mbrojtje e të drejtës ndërkombëtare. Shpesh është mbrojtje e interesave të këtyre shteteve.

Elvira Rosert, profesoreshë në Universitetin e Hamburgut, përmend dy rezoluta të OKB-së (1160 dhe 1199) me të cilat u legjitimua ndërhyrja në Kosovë edhe me mjete ushtarake. Këto dy dokumente janë një argument shtesë kundër propagandës që Rusia po e përdor në rastin e Ukrainës duke apostrofuar Kosovën.

Sipas Rosertit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi në mars 1998 Rezolutën 1160 mbi situatën në Kosovë. Rezoluta u miratua sipas Kapitullit VII të Kartës së OKB-së. Këshilli i Sigurimit vendosi që, bazuar në Kartën e OKB-së, të legjitimohet edhe përdorimi i forcës ushtarake, krahas mjeteve të tjera, për të rivendosur paqen në Kosovë. Pastaj në shtator 1998 Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1199, e cila e klasifikonte situatën në Kosovë si kërcënim për paqen ndërkombëtare.

“Në Rezolutën 1199, Këshilli i Sigurimit përsëriti se po vepronte sipas Kapitullit VII dhe formuloi kërkesat ndaj Qeverisë jugosllave dhe udhëheqjes kosovare – me paralajmërimin se do të ndërmarrë masa të tjera nëse nuk plotësohen këto kërkesa”, shkruan Rosert. Këto dy rezoluta, nuk duhet harruar, u miratuan edhe nga Rusia si fuqi me veto në OKB. Lufta në Kosovë, sipas OKB-së, paraqiste kërcënim për paqen ndërkombëtare. Ndërhyrja e NATO-s u bë jo vetëm për të çliruar popullin e Kosovës nga shtypja brutale, por edhe për të ruajtur paqen ndërkombëtare./ Koha

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit