-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Kopja e Berishës në Lezhë…

Kryesoret

Gjin Gjoni është një emër i njohur. Për shumëçka dhe për gjithkënd. Gjyqtar. Nga ata që u tërhoqën nga sistemi thjeshtë për shkak të Vetingut dhe mbetën të pagur nga ndëshkimi. Njeriu pas të cilit fshihen dhjetëra enigma dhe që askush nuk dyshonte se është njëri ndër njerëzit e futur të pushtetit. Tani , që nga fundjava, ai është shefi i Rithemelimit, pra, kopja e Berishës në Lezhë. Sapo është zgjedhur, përmes “ votës”, si drejtuesi i kësaj partie, që as vetë nuk e di se si quhet, Foltore, Rithemelim apo PD!

Nëse dikush mund të ketë besuar se, më në fund, Berisha dhe njerëzit pranë tij e kanë sinqerisht luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e një mendësie të re në drejtimin e pushtetit, mjafton buzëqeshja bizare e Gjon Gjonit, menjëherë pas besimit që i dhanë 604 votues të partisë së tij, për të qenë qartësisht të bindur se në këtë piramidë, ku janë bashkuar gurët e të vuajturve dhe llafet anti komuniste të një shtrese dalë nga komunizmi, se nuk është asgjë tjetër, veçse loja, që, as lojtarë për së mbari nuk gjen dot. Shfaqja e Malltezit – bijë në Tiranë dhe e Gjon Gjonit në Lezhë është simbioze e një pushteti që vështirë se do të mund të vijë, dhe që në rrënjët e tij ka përmbysjen e një sistemi që ia kanë frikën, atij të drejtësisë së reformuar.

Nganjëherë edhe fakti është i çuditshëm : ndërsa në strehën e Rithemelimit u shfaq Gjon Gjoni dhe gjingjonizmi si rrymë, në Tiranë, si të ishte gjëja më normale në botë, një grup punonjësish të bashkisë, u drejtuan në zyrat e SPAK-ut, edhe pse nesër mund të jenë nën hetim apo të akuzuar.

Të njohësh apo të mos njohësh SPAK është njëra ndër ndarjet më të mëdha të politikës, por edhe të besimit të nesërm ndaj ndryshimit të domosdoshëm.

Të kesh droje nga SPAK është tani sëmundja e re e politikës sonë dhe shpresa se përtej keqkuptimeve, ngurrimeve, lëshimeve përballë presionit, mungesës së një rrjeti të gjerë bashkëpunimi,  nganjëherë edhe tërheqja nga e shkuara, është në të mbarë. Njerëzit kanë nevojë të besojnë, dhe, si duket, përtej klasës politike, ata kanë gjetur një strehë besimi, te disa njerëz që as emrat nuk ua dinë, nuk dinë as sa vetë janë dhe ku banojnë, pirjet që kanë dhe dëshirat e tyre politike.

Por, si gjë të domosdoshme, janë të detyruar të besojnë aty ku ka qenë humbja më e madhe e shpresës: te drejtësia dhe ndëshkimi i së keqes. Nëse, edhe më tej, e keqe dhe mos ndëshkimi do të kenë të drejtën e qytetarisë, Shqipëria nuk bëhet. Sado të premtojnë njerëzit e politikës, dhe atë këtë e bëjnë mrekullisht mirë; sado të anatemojnë nga çatitë e pallateve dhe këtë e bëjnë me mllef të jashtëzakonshëm, shteti nuk bëhet pa të drejtën dhe ndëshkimin e së keqes.

Ditët e fundit  njerëzit kanë mësuar se disa drejtues të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, të djeshëm dhe në detyrë, tani janë objekt i SPAK-ut, për më tepër, disa prej tyre,  edhe në gjendje arresti. Të tjerë ndodhen në hetim, janë pyetur e ndoshta do të pyeten edhe në ditët në vazhdim, do të ketë rishtas debate pa fund, sidomos nga të “ gjithë diturit”, ashtu si do të ketë edhe mbrojtje të verbër, ende pa e ditur se si është e vërteta.

Shfaqja e krye bashkiakut të Tiranës, në një komunikim me median, gjë e zakontë kudo në botë kur ka ngjarje të tilla, ishte, po ashtu, njëra nga risitë e jetës politike, por, mbi të gjitha, respekt për strukturat , në emër të së cilës kishin ndodhur arrestimet, hetimet dhe mbështetje për të ardhmen.

Nuk ndodh zakonisht kështu, ose, më saktë, nuk ka ndodhur kështu. Nuk është e largët dita kur anatemuesit e çative, në kohën e pushtetit të tyre despotik, nuk lejonin as Prokuroren e Përgjithshme të hetonte mbi një ngjarje të rëndë, si vrasjet e 21 janarit; kur vrasësit u strehonin në bodrumet e godinës krye ministrore, kur e gjithë garda e Republikës vërshonte në sallën e gjyqit dhe kërcënonte prokurorë dhe gjyqtarë; kur provat fshiheshin dhe sajoheshin prova fiktive, edhe me ndihmën e studiove televizive, putha dorë të çdo lloj pushteti.

Kush ka një kujtesë minimale mund të kthejë në memorien e tij ditën kur në parlament diskutohej për tragjedinë e Gërdecit dhe çastet e shumta kur shefi i qeverisë së kohës mallkonte prokurorë dhe hetues, i bënte secilit biografinë dhe i detyroi të tërhiqeshin nga detyra. Nëse tani nuk ndodh kështu, nëse pranohet ajo që është detyrë dhe e drejtë e një institucioni të pavarur, kjo do të thotë se diçka ka nisur të ndërrojë dhe kjo është mirë.  Veliaj bëri detyrën e tij, bëri atë që ishte pritur.

Çdo kryetar bashkie në një botë të qytetëruar do të kishte bërë të njëjtën gjë. Vlerësoi punën që kishin bërë në vite ndihmësit e tij, por duke lënë rrugën e hapur për çdo hetim të mëtejshëm. Nuk dërmoi dhe lënë në harresë atë që kishin bërë, por edhe nuk synoi të mbyllë rrugët e një hetimi, i cili mund të dëshmojë nëse të hetuesit apo të arrestuarit janë të fajshëm apo jo.

Kjo , e kisha menduar se do të ndodhte kështu, duke qenë dalje nga rregulli i vendosur prej Foltores në dekadat e pushtetit, egërsoi ata që prisnin mallkimin, përleshjen mes shefit të qeverisë  dhe atij të bashkisë, ndezjen e zjarrit të mallkimit dhe përbetimit kundër Dumanit, gjithë atyre njerëzve, ndaj të cilëve shkojnë çdo mbrëmje mallkimet biblike të shefit të Foltores.

Jemi mësuar ndryshe. Zakonisht, pas goditjeve të bëra ndaj akteve korruptuese , pushteti, me të gjithë mënyrat e tij ka kundër vepruar ashpërsisht, deri në verbëri njerëzore dhe politike, duke anatemuar sistemin e drejtësisë dhe bërë me domosdo zmbrapsjen e tij. Një shtet, të cilit i ishin varur të mbathurat nëpër këmbë, do e kishte edhe sistemin e tij të drejtësisë në këtë mënyrë.

Një pushtet që sjell dhunën në jetën qytetare, nuk është e mundur të jetë dinjitar ndaj shtetit të së drejtës. Një pushtet që vret për të mbajtur sundimin, është e pamundur të jetë në të njëjtën kohë edhe human. Në fund të fundit, asnjë sistem drejtësie nuk mund të veprojë nëse pushteti i ka zënë frymën, duke e korruptuar deri në themel, duke sjellë në drejtimin e tij figura moralisht të rënduara nga mëkati, dhe, mbi gjithçka, duke sunduar me grusht të hekurt.

Është bërë e pamundur të mos besosh në SPAK. Nuk është e rëndësishme nëse e mbështet atë apo jo, ashtu si nuk është e njëjtë mbështetja nga dy kampet e politikës. SPAK, duan apo nuk duan , është bërë sot opozita reale e partive politike, dhe, mbi të gjitha droja e përditshme se, në mos sot, një ditë të ardhshme , mund të jesh objekt i hetimit të këtij institucioni që, duke i marrë frymën kalbësisë politike, risjell një shkallë të lartë besimi se gjërat mund të ndreqen.

Prej shumë viteve, e, edhe tani, ekziston bindja, në një masë të madhe të njerëzve , se ky vend nuk bëhet. Kaq e është kjo bindje , sa që edhe një forcë e re politike, solli si motivin dhe emrin  e saj “ Shqipëria bëhet”. Shumë vetë, mijëra, në dekadat e fundit, pavarësisht se cilët drejtonin shtetin, të majtët që veprojnë si të djathtë, apo të djathtët që udhëhiqen nga parulla të majta, e gjetën më të arsyeshme në mbijetesën e tyre largimin nga atdheu.

Nuk kanë ikur vetëm ata që kishin probleme me bukën e tyre të përditshme, njerëz me halle të mëdha, por edhe nga ajo që mund të quhet shtresë e mesme, në gjendje të mirë në jetën e tyre, profesionistë dhe të mirë arsimuar, që tani i gjen kudo në cepat dhe qendrat e Evropës dhe përtej Atlantikut.

Natyrisht SPAK nuk bën as politikë dhe nuk e besoj se një ditë, kur mandati i Dumanit të përfundojë ai do të jetë kryetar i një dege të Partisë Socialiste. Pra, nuk do të jetë “ alter ego” e Gjon Gjonit.

Njerëzit e vendosur në SPAK kanë kaluar në disa filtra të kontrollit të figurës dhe pasurisë së tyre. Ashtu ka ndodhur edhe në Byronë Kombëtare të Hetimit. Institucione të rëndësishme ndërkombëtare monitorojnë vazhdimisht punën e tyre. U besojnë atyre. Më shumë për të ardhmen, se për të sotmen, që është vetëm fillimi i shpresës së ndëshkimit.

Nëse Dumani apo njerëzit pranë tij do të kishin të shkuarën e një të pasuri mëkatar si Gjin Gjoni, nuk e di se cilat bubullima dhe gjëmime do të vinin nga maja e çatisë, ku çdo natë mallkon e nuk pushon kreu i Foltores. Që është vetë nën hetim. Që, si askush tjetër, është dënuar politikisht për korrupsion madhor dhe ushtrim presioni ndaj drejtësisë. Që as nuk ka mësuar gjë nga e shkuara dhe as nuk ka ndër mend të mësojë.

Që mbetet njëlloj i pasur, përmes korrupsionit familjar dhe njëlloj kërcënues i frikshëm i drejtësisë.

Të tjerët që vijnë pas tij nuk janë asgjë tjetër, veçse hijet e frikësuara nga mëkatet e tyre. Si duket, më mirë se gjithë të tjerët, ata e dinë se koha e ndëshkimit të tyre po vjen me shpejtësi.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit