Një rast i transportimit të emigrantëve të paligjshëm është goditur ditën e sotme në qytetin e Gjirokastrës.
Gjatë këtij operacioni, policia ka parë dy mjete të dyshimta dhe u ka bërë me shenjë që të ndalonin. Drejtuesit, të cilët në një nga mjetet kishin emigrantë, nuk i janë bindur urdhrit, kanë vijuar me shpejtësi lëvizjen dhe kanë braktisur automjetet në fshatin Mezhgoran.
Menjëherë, shërbimet e Policisë u janë vënë në ndjekje dhe si rezultat i koordinimit me DVP Fier, është mundësuar kapja e njërit prej tyre.
Nga kontrollet, në automjetin që drejtonte 37-vjeçari, u konstatuan 11 shtetas nga Vendet e Treta, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin.
Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorit të të arrestuarit, i cili dyshohet se mbikëqyrte rrugën ku kalonte automjeti, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.