Reshjet e shiut nuk i kanë ndaluar fermerët e fshatrave të Roskovecit dhe Dimalit për të dalë në protestë, ku 50 prej tyre me pankarta në duar kundërshtuan ndërtimin e Termocentralit në fshatin Suk.
Fermerët shprehen se tentativa e bashkisë së Roskovecit për t’i hapur rrugën ndërtimit të këtij termocentrali në zonën bujqësore është kriminale.
Prania e termocentralit do të shkatërrojë një sipërfaqe bujqësore prej 700 ha me sera, tha një banor. Sipas tyre jo vetëm toka, uji, por edhe ajri do të ndotet.
I bëj thirrje kryetares së bashkisë që duhet të na bëjë sa më parë transparent këtë projekt sepse unë jam banor i këtij komuniteti, fermer. Të na bëhet transparent investimi në të kundërt ne do jemi në greva të vazhdueshme duke shkuar deri në kryeministri.
Dëmtohen 70 hektarë sera. Jemi e vetmja zona e paprekur. I lutem kryetares së bashkisë të heqë dorë nga projekti”, tha një fermer.
“Ky termocentral dëmton të gjithë zonën tonë. Si do jetojmë nëse helmohemi çdo ditë. Do të bëjmë edhe greva urie”, shtoi një tjetër.
Të shqetësuar nga ndotja e puseve të naftës, fermerët thonë se nëse projekti nuk ndalohet do të përshkallëzojnë në grevë urie.
Firma shqiptare që kërkon të ndërtojë termocentralin është Gener 2. Por krahas kundërshtisë nga ana e banorëve ndërtimi i këtij termocentrali ka ngjallur debate të ashpra edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak. Këshilltarët e djathtë Dhurata Malka e Fredi Feleqi kanë bërë thirrje edhe këshilltarëve që votuan pro, ta kundërshtojnë këtë investim që për ta do të krijojë probleme.
Banorët paralajmërojnë se protestat kundër ndërtimit të këtij termocentrali do të vazhdojnë.