Gjatë një takimi me demokratët e njësisë 5 në Tiranë, kryedemokrati Sali Berisha theksoi rëndësinë e qëndrimit të opozitës dhe rolin vendimtar të qytetarëve në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre.
Ai foli për sfidat që përballen të rinjtë në vend, duke theksuar se pengesat e sotme për të ndërtuar një të ardhme të sigurt në Shqipëri janë rezultat i politikave të qeverisë aktuale.
“Çdo i ri ka ëndrrën e tij, dhe çdo i ri dëshiron të ndërtojë të ardhmen në vendin e tij, të zhvillojë biznesin dhe të krijojë mundësi për veten dhe familjen e tij. Por sot, shumë prej këtyre ëndrrave pengohen nga një sistem që nuk i ofron mundësi të drejta, nga çmimet e larta të jetesës, nga mungesa e punësimit dhe vështirësitë për të zotëruar një shtëpi. Ju, me qëndrimin dhe qëndresën tuaj, keni treguar se nuk është e pamundur të ngrihesh kundër padrejtësive, të mbash në jetë opozitën dhe të luftosh për një Shqipëri më të drejtë. Ky qëndrim i guximshëm, kjo vendosmëri për të mos u nënshtruar, është zëri i qytetarëve dhe zëri i të drejtës. Ai tregon përgjegjësinë e çdo shqiptari për familjen, qytetin dhe vendin e tij dhe është një shembull që meriton respekt dhe mirënjohje. Në këtë mënyrë, opozita nuk është vetëm një forcë politike, por edhe mbrojtëse e moralit, e të drejtës dhe e dinjitetit kombëtar,” u shpreh Berisha.









