Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës. Fillimisht ai u ndalua pasi kryente manovra të rrezikshme me makinë, ndërsa rezultoi se pak më parë kishte vjedhur mjetin tip ‘Ford’ nga një 70-vjeçar.
“Nga verifikimet rezultoi se ai ishte në kërkim nga Policia e Durrësit, gjithashtu për vjedhje.
Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Shkodër, sapo është njoftuar se shtetasit I. D., 70 vjeç, i kishin vjedhur automjetin tip “Ford”, në lagjen “10 Korriku”, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Si rezultat, u vu në pranga shtetasi R. Sh., 37 vjeç. Ai u kap në flagrancë teksa kryente manovra të rrezikshme, me automjetin e vjedhur. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 37-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Durrës, për veprën penale “Vjedhja” thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.