Ish-presidenti Donald Trump thotë se është i gatshëm të ripërtërijë aleancën me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, nëse fiton zgjedhjet në nëntor. Kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane i bëri komentet në një fjalim drejtuar konferencës së konservatorëve CPAC që mbahej këtë radhë në Budapest.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, analistët thonë se zoti Orban synon krijimin e një lëvizjeje konservatore globale që do të arrijë rezultate të suksesshme gjatë votimeve të rëndësishme që mbahen këtë vit në mbarë botën. Konferenca e Veprimit Politik Konservator (CPAC) ka qenë prej kohësh një forcë e fuqishme në politikën e djathtë amerikane. Ajo është shtrirë tashmë përtej Atlantikut. Për të tretin vit radhazi, Hungaria u bë vendi organizator i aktivitetit “CPAC Europe”.
Kryeministri hungarez Viktor Orban, organizatori dhe folësi kryesor në këtë aktivitet tha se konservatorët kanë shansin për të marrë pushtetin në një vit të rëndësishëm zgjedhor.
“Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore, ta bëjmë Evropën sërish madhështore! Përpara Donald Trump, përpara mbrojtësit e sovranitetit evropian!”, u tha pjesëmarrësve zoti Orban.
“Këtë po e bëjnë me konservatorët në kryeqytetet progresive liberale evropiane. E njëjta gjë po ndodh në Shtetet e Bashkuara ku nëpërmjet vendimeve të gjykatave duan ta heqin presidentin Donald Trump nga fletëvotimi”, tha zoti Orban.
Në një fjalim të regjistruar paraprakisht drejtuar kësaj konference, zoti Trump u shpreh të premten se ishte i gatshëm të ripërtërinte aleancën me zotin Orban.
“Për sa kohë qëndrojmë të bashkuar në vizionin tonë, me vërtetësi ndaj parimeve tona dhe me guximin për të mbrojtur vlerat tona, konservatorët do ta fitojnë betejën për ta shpëtuar civilizimin tonë nga komunistët, marksistët dhe fashistët dhe për t’ia rikthyer botës qeverisjen e konservatorizmit dhe arsyen”, tha ish-presidenti Trump.
Ndiqni KËTU shkrimin e plotë