Prokuroria e Posaçme përmes një njoftimi për mediat ka zbardhur detaje nga operacioni policor i zhvilluar dy ditët e fundit, që pa efektivët të mësynin në bazën e Ervis Martinaj në Fushëkuqe, por edhe në prona të eksponentëve të krimit në Fushë Krujë, Durrës, Tiranë, Lezhë e Vlorë.
SPAK në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust ka arritur të sekuestrojë gjatë këtij operacioni rreth 1 milionë euro cash dhe pasuri të tjera si makina dhe ora luksoze me vlerë rreth 3,5 milionë euro.
Gjatë operacionit që zgjati mbi 20 orë, dhjetëra oficerë të BKH-së por edhe efektivë të shumtë policie kanë mësyrë në mbi 50 prona, ndërsa GJKKO ka caktuar masën arrest me burg për 50 të dyshuar për disa ngjarje kriminale.
Organi i akuzës bën me dije se ka zbardhur disa tentativa për vrasje të ndodhura në Tiranë, Krujë e Burrel. Në njoftim del në pah bashkëpunimi shumë i ngushtë mes grupit të të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj dhe një tjetër grupi kriminal me bazë në Lezhë, që drejtohet nga ish-deputeti Arben Ndoka.
“Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi E.M., i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi A. N. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale E.M., kontakton shtetasin V.I., i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara E.M. dhe A.N., vijnë edhe shtetasit E.Sh. dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë E.M. dhe A.N., në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e D.B. etj.”