Kryeprokurori Olsian Çela prezantoi sot në Kuvend raportin për vitin 2023, ku theksoi se qarku i Vlorës ka regjistruar nivelin më të lartë të kriminalitetit. Ai nënvizoi se vitin e kaluar u vunë re tendenca për ashpërsimin e masave të sigurisë në përgjigje të situatës së krijuar.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar 35,12% të totalit të procedimeve penale në vend, ndërsa qyteti i Vlorës shënon nivelin më të lartë të kriminalitetit. Në fund të renditjes janë prokuroritë e Kukësit dhe Dibrës, me përkatësisht 2,37% dhe 2,31%.
“Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2023 është 872, ndërsa në vitin 2022 koefiçenti i kriminalitetit ka qenë 920. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë”, u shpreh Çela.