-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Tre arsye përse iu vërsulën Dumanit

Kryesoret

Gjithë ajo që mund të mendohej se në një ditë opozita do të kishte filluar të kuptonte të vërtetën, u shemb në një ditë të vetme. Për më tepër, çka është edhe më e rëndë nuk ishte një skenar i thurur më parë, kur grupi i deputetëve vendos se cili qëndrim do të mbahet, kush do të pyesë dhe përse, cila do të jetë radha e atyre që do të flasin, temat e ndryshme, goditjet që mund të jepen, propozimet që do të bëheshin, pra , ajo që mund të quhet një goditje e mençur, e duhur dhe në kohën e duhur.

Për fat të keq, edhe pse nuk kishte një përgatitje të tillë, ndarje rolesh dhe kohe, dëshmia që erdhi është se, me përjashtime të rralla, njerëzit që përbëjnë opozitën nuk vepruan thjeshtë se donin të ishin pjesë e pëlqimit të Berishës, apo e kishin urdhër të saktë, por vetë mendësia e tyre është e tillë, e pa reformuar, e keq përdorur, mjerisht në nivelin më të keq politik të mundshëm, pa aspirata dhe pa mendim të së ardhmes. 

Qëndrimi në atë që menduan se po bënin gjyqin e SPAK, përmes Altin Dumanit, në fakt është dëshmia se ku është katandisur mendimi politik i opozitës, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, deri ku është ngrirë mendimi vetjak i deputetëve të shumicës.

Opozita nuk e kishte me Dumanin si figurë e sistemit të drejtësisë, por vetë drejtësinë. Nuk e kishin me të vërtetën se tani gjërat po lëvizin, por donin të ndalnin vetë Lëvizjen. Ata , duke pasur hallin e Berishës, mendonin për vete. Të pa prekur ende nga reforma, e ndjejnë se çasti mund të jetë edhe i tyre. Agresiviteti ndaj figurës qendrore aktuale të SPAK ishte në fakt pamja e opozitës nëse një ditë të nesërme do të vijë në pushtet. Janë bindja se , një ditë të ardhshme ata do e drejtojnë sistemin përmes mesazheve, si beson Bardhi se e drejton tani Edi Rama. Nuk është thjeshtë çështje naiviteti. Është besimi se kështu duhet të ndodhë. Të bindur se, ashtu si ka falur e kaluar Berisha, në kohën kur ishte shefi i qeverisë, bëmat e vjedhjet e tyre të mëdha, ashtu duhet të veprojë edhe shefi i tanishëm i qeverisë. Nuk besojnë se ka rrugë tjetër. Edhe nëse e dinë se mund të jetë një drejtim i ri, ata nuk e kanë në mbamendjen e tyre një gjë të tillë. Shumë nga opozitarët e kanë kaluar lumin me një për falje te Berishët, të mëdhenj e të vegjël. Janë bërë besnikë kur kanë mbushur çantat e familjes dhe nuk kanë pyetur për drejtësi. Përkundrazi, e kanë quajtur sakrilegj kur ndonjëri nga të sistemit ka synuar të bëjë drejtësi.
Sepse ka qenë e pa menduar të ketë drejtësi jashtë qeverisjes, mendimit e vendimit të tyre. Të mësuar të komandojnë gjyqtarë e prokurorë përmes mesazheve, të marrin të parët videot e bastisjeve, dosjet e hetimeve, transkriptimet e përgjimeve, tani janë të b
indur se edhe të tjerët veprojnë në të njëjtën mënyrë.  

Përse iu vërsulën Altin Dumanit, të gjithë njëherësh dhe me kaq shumë agresivitet?

Janë tri arsye përse ndodhi kështu.

Mentaliteti i tyre se drejtësia duhet mposhtur me çdo kusht dhe sidomos reformimi i saj. Është një ndër synimet thelbësore të opozitës. E duan me çdo kusht mposhtjen e saj. Nëse në kohën kur figura një e SPAK ishte zoti Kraja , kjo nuk do të thotë se opozita ishte e reformuar dhe po mirëkuptohej me sistemin. Lëvizja e rëndë e ingranazhit të drejtësisë ende nuk kishte filluar të vërë në funksion mekanizmin e saj. Aso kohe nuk ishte veçse fillimi, ishte prova se si mund të lëvizej, por jo ajo që do të ndodhte në të ardhmen.

Tani shenjat , dhe jo vetëm shenjat, janë krejt ndryshe. Janë të dukshme, por edhe të rënda. Disa nga kolegët e tyre të së majtës, me të cilët kanë ndarë darkat, drekat, të fshehtat, aksionet, tenderët, pjesë të fitimeve, me të cilët ziheshin ë sallën e parlamentit, për të pirë verë së bashku në darkë, e njëkohësisht duke u tallur ma ndjenjat e njerëzve që besonin te përplasjet e tyre, tani janë pas hekurave. Ose në pritje të tyre. Disa ministra të rëndësishëm të kabinetit Rama, zëvendëskryeministri në arrati ,por me urdhër arrest, drejtorë të rëndësishëm, bashkiakë të njohur, të tjerë që venë çdo ditë në zyrat e SPAK, ku futen si triumfues dhe dalin të zgërlaqur, janë shenjat se koha e tyre po vjen. Disa prej tyre janë që tani nën hetim apo janë ngritur dosjet e para. Abuzimet që kanë bërë janë të dukshme. Vilat në bregdet apo në resorte të shtrenjta, po ashtu kanë emër. E keqja e madhe është se SPAK nuk është vetëm struktura që paraqet dëshmi, por edhe sekuestron. Ky është makthi i tyre. Një opozitar, ashtu si një i qeverisë nuk mund të kuptojnë më jetën i “ zbritur nga kali” , megjithëse i kanë hipur së prapështi.

Për të qenë të qetë duhet përkulur fillimisht, pastaj duhet nënshtruar SPAK. Reforma në drejtësi nuk është vetëm për të majtën, është për të gjithë. Radha është më së shumti e së majtës,  edhe pse ka qeverisur më së shumti në këto 34 vite pluralizëm, e vazhdon të qeverisë. Por, jo vetëm e tyre.

Së dyti, shumë prej tyre kanë lënë pas mëkate të mëdha në rrugën e tyre drejt politikës. Për një vend në parlament kanë paguar, e , më pas janë paguar. Kanë bërë investime afatshkurtra, për të qëndruar gjatë në politikë. Njerëz të panjohur deri disa kohë para votimeve politike, befas janë gjetur të parët në listat e deputetëve, hartuar nga kryetarët e kunetërit e tyre. Natyrisht që këto ishin biznesmenë, oligarkë, që u pasuruan edhe më tej nga mandati i deputetit.

Çfarë do të ndodhë me to. Abuzimet janë të njohura. Lidhjet e dikurshme me krimin kanë heshtur, por nuk janë shuar. Nëse krimin e ndjell njëherë, ai të vjen vetë nga pas në gjithë herët e tjera. Sepse kërkon shpagimin e tij.

Deri tani SPAK  është përqendruar më së shumti në atë pjesë të hetimeve që ka të bëjë me gjëra të dukshme, si është pasuria e pa ligjshme, korrupsioni, vjedhjet, krimin financiar.

Mirëpo nuk është vetëm kaq detyra e tij. Është shumë më tepër. Tani , si raportoi në parlament shefi i SPAK,  Altin Dumani dhe prishi mendsh një tufë deputetësh, është hapur çështja më e nxehtë e dy dekadave të fundit, 21 janari. Katër të vrarët, dhjetëra të plagosur kërkojnë përgjigjen e tyre: kush qëlloi, mbi të gjitha , me urdhrin e kujt. Ish ministri i brendshëm në 21 janar, pikërisht nga opozita, Lulëzim Basha vrapoi të lajë duart, duke deklaruar një ditë më parë se, nuk ka dhënë urdhër për të qëlluar drejt protestuesve. Duke lënë të hapur se është dikush tjetër ai që ka dhënë këtë urdhër, dhe, kur të vijë lëmshi duke u mbledhur, dëshmia do të jetë tronditëse.

Po kështu janë shumë çështje të tjera, që gjenden jashtë korrupsionit dhe përfitimeve financiare, por që kanë shkatërruar jetë njerëzore. Një ditë mund të hapen dosje të përgjakura, si ajo e vitit 1997, me rreth 4 mijë të vrarë, e Tropojës, ku kanë humbur jetën dhjetëra djem të rinj, e grushtit të shtetit në shtator 1998. Të gjitha këto janë më shumë se sa një krim i vetëm dhe, si thuhet, krimi ka emër.

Që të mos shkohet deri tek emri, atëherë duhet shuar reformimi i drejtësisë. Duhen nëpërkëmbur fillimisht, shantazhuar më pas, e në fund duhen mposhtur reformimi. Rrugë tjetër nuk ka. Kambanat po bien. Opozita i dëgjon tani, shumica qeveritare ka kohë që i ka dëgjuar.

Së treti, është e vërtetë se një shumicë e deputetëve të opozitës i kanë varur shpresat, sytë dhe mendjet te Berisha. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë njeriu që bën ligjin në opozitën e tanishme, por dora e tij do të ndjehet edhe në të ardhmen.

Nga qëndrimi, harresa ose mos harresa e tij, varet e ardhmja e shumë prej deputetëve të sotëm. Nuk e përjashtoj se në grupin parlamentar të së djathtës ka mjaft figura të njohura dhe të mirë pritura të politikës, por , si në çdo rast tjetër, edhe tek e majta, shumica përbën ligjin dhe ligji për të paaftët është i njëjtë: duhen shenja besnikëria ndaj shefit.

Nuk e di pse jam i bindur se duke parë servilizmin naiv të shumë deputetëve të tij , vetë Berisha, në fakt njeri i lexuar dhe që e njeh shpirtin njerëzor, do të jetë tallur me banalitetin e besnikërisë së tyre.

Qëndrimi ndaj Dumanit ishte test besnikërie.

Por testi i vërtetë nuk është tani.

Testi i vërtetë vjen më pas. Nuk është e mjaftueshme vetëm të anatemohet një ditë SPAK. Duhet në secilën ditë. Besnikërisht. Verbërisht. Sipas shembullit të Ilir Metës. Nganjëherë edhe qenërisht, si ai.

Dumani nuk ishte njeriu që trembi deputetët e opozitës dhe ka lënë të heshtur ato të shumicës.

Nëse ata janë trembur kjo do të thotë se reforma po jep frytet e saj.

Nëse ata do e kishin duartrokitur, reforma do të kishte lindur e vdekur.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit