Policia e Mirditës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Double”, ku është arrestuar në flagrancë 37-vjeçari Fatmir Ndoj për kultivimin e bimëve narkotike.
Në orët e para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetje Operacionale të DVP Lezhë, kanë realizuar kontrollime intensive në zonën e fshatit Shëmri, ku kanë zbuluar 520 bimë të dyshuara si cannabis sativa. Gjatë kontrollit, Ndoj është kapur në flagrancë duke ujitur këto bimë narkotike.
Fatmir Ndoj, banues në fshatin Shëmri, është arrestuar dhe akuzohet për veprën penale të “Kultivimit të Bimëve Narkotike”. Ky shtetas është i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë” dhe “Kultivim të bimëve narkotike”.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar 520 bimë narkotike, si dhe janë nisur procedime në gjendje të lirë për shpërdorim detyre ndaj S. Ll., kryeplaku i fshatit Shëmri, dhe Gj. Gj., specialist i pyjeve, për shkak të dyshimeve se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vazhdon hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.