Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut ka rishikuar të gjitha dëshmitë që lidheshin me incidentin dhe se është konstatuar se shërbimet e aeroportit kanë vepruar në mënyrë profesionale.
“Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë u pranuan vetëm pasi piloti i avionit kishte refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie”, shkruhet në raport.
Presidenca e Kosovës ka reaguar duke akuzuar Maqedoninë e Veriut për shkelje të praktikave dhe konventave ndërkombëtare.
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdo kund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”.
Presidenca tha se Osmani nuk është kthyer nga vizita e saj jashtë vendit përmes Aeroportit të Shkupit pasi ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë.