Edhe pas 12 ditësh, zjarri në bashkinë Pustec dhe në Mal të Thatë vazhdon të jetë aktiv.
Kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolevski, informoi se, megjithëse ndërhyrjet nga ajri kanë përmirësuar situatën, vatrat e zjarrit rrezikojnë të aktivizohen përsëri për shkak të temperaturave të larta dhe erës.
Situata është më e qetë gjatë paradites, por intensiteti i flakëve rritet nga mesdita, duke zgjeruar sipërfaqen e djegur. Në majën e Malit të Thatë, në Pllaja e Pusit, ndërhyrja është e vështirësuar nga terreni malor i thyer.
Disa vatra të vogla zjarri janë raportuar edhe në kufi me Maqedoninë e Veriut, dhe aktualisht po punojnë 25 forca të ushtrisë dhe shërbimi zjarrfikës.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Emergjencat Civile të cilave u kemi kërkuar që edhe sot të vazhdojë ndërhyrja nga ajri, por për momentin avionët janë në Malin e Tomorrit dhe kur të ketë hapësirë do konsiderohet edhe ndërhyrja në Prespë.
Në Parkun e Prespës vatrat janë të vogla, por mbeten shqetësim vatrat e zjarrit përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut, të cilat janë përhapur edhe në Parkun e Galiçicës dhe rrezikojnë si zonat pyjore të Pogradecit ashtu edhe të bashkisë së Pustecit”, tha Kolevski.