Një muaj pasi njoftoi se nuk do të rikandidojë, Presidenti Joe Biden iu drejtua Kuvendit Kombëtar Demokrat të hënën në mbrëmje. Siç njofton nga Çikago korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, ai u përpoq të nxjerrë në pah trashëgiminë e tij dhe ia kaloi stafetën Nënpresidentes Kamala Harris si kandidatja zyrtare për presidente e Partisë Demokrate.
I prezantuar nga vajza e tij, Ashley, Presidenti Joe Biden u prit si një hero nga delegatët që thërrisnin: “Faleminderit, Joe!”.
Në Kuvendin Kombëtar Demokrat në Çikago të Illinoit, ai përmbushi premtimin e tij për ta kaluar stafetën e drejtuesit…
“A jeni gati të zgjidhni Kamala Harrisin dhe Tim Walzin?”, i pyeti ai delegatët.
Presidenti i dha mbështetjen e plotë zonjës Harris, si kandidatja zyrtare e partisë për zgjedhjet e nëntorit.
“Ajo do të jetë një presidente që do të shërbejë si frymëzim për fëmijët tanë. Ajo do të jetë një presidente e respektuar nga udhëheqësit botërorë dhe ata e respektojnë atë që tani. Do jetë një presidente me të cilën mund të krenohemi të gjithë dhe do të jetë një presidente historike që do t’i japë formë të ardhmes së Amerikës”, tha Presidenti Biden.
Presidenti Biden kandidoi i pasfiduar gjatë zgjedhjeve paraprake në Partinë Demokrate. Gati një muaj më parë, 4 mijë delegatët pritej të votonin për të si kandidat zyrtar për president. Por, të hënën ai i dha mbështetje zonjës Harris, ndërsa vuri në dukje arritjet gjatë mandatit të tij.
“COVID-i nuk kontrollon më jetët tona. Kemi kaluar nga kriza ekonomike tek ekonomia më e fortë në të gjithë botën. Me një rekord prej 60 milionë vendesh të reja pune, me një rekord rritjeje të biznesit të vogël, të bursave, skemave të pensioneve private, rrogave, uljen e inflacionit”, tha Presidenti Biden.
Ky realitet i ri për garën presidenciale filloi me debatin përballë kandidatit republikan, ish-Presidentit Donald Trump, në fund të qershorit. Presidenti Biden, tashmë në moshën 81-vjeçare, pati një paraqitje dekurajuese që i shtyu njerëzit të vinin në pikëpyetje mprehtësinë e tij mendore.
Në vazhdim, një atentat ndaj ish-Presidentit Trump i bashkoi më shumë republikanët dhe i dha atij një nxitje të mëtejshme në nivelin e mbështetjes në rang kombëtar.
Për disa javë, Presidenti Biden këmbënguli se do ta vazhdonte kandidimin, megjithëse udhëheqësit e partisë po i kërkonin privatisht që të tërhiqej nga gara.
“Joe Biden është një president me një mandat që u detyrua nga drejtuesit e Partisë Demokrate të heqë dorë nga kandidimi. Megjithëse fitoi gjatë zgjedhjeve paraprake, atij i kërkohet tashmë të mbështesë me entuziazëm nënpresidenten e tij, Kamala Harrisin. Nuk është nevoja të jesh Sigmund Freud-i për të kuptuar se sa i dyzuar mund të ndjehet”, thotë Thomas Schwartz, nga Universiteti Vanderbilt.
Presidenti Biden nuk tregoi shenja dyzimi dhe i dha mbështetje të plotë zonjës Harris, ndërsa shijoi ngrohtësinë dhe mirënjohjen e partisë së tij. Zëri i Amerikës bisedoi me disa nga delegatët e pranishëm.
“Ishte një fjalim i bukur. Një fjalim i mrekullueshëm. Kurorëzim i viteve të tëra shërbimi publik”, thotë Julia Locke, delegate nga Xhorxhia.
“Trashëgimia e tij është e fortë dhe pozitive. Sot ai i tregoi publikut amerikan se përse e dashuron dhe se çfarë bëri për 50 vite në shërbim të vendit tonë. Një historik i jashtëzakonshëm”, thotë Jim Costa, delegat nga Kalifornia.
Kjo ngrohtësi vazhdoi megjithë përpjekjet e ish-Presidentit Trump për të ngjallur ndasi në radhët e demokratëve.
“E detyruan të largohet. Ishte një puç. Patëm një puç. I pari në historinë e vendit tonë”, tha ish-Presidenti Trump.
Presidenti Biden përsëriti tematikën demokrate se zonja Harris, me profesion ish-prokurore, do të përballet me zotin Trump, i cili është gjendur fajtor nga gjykata për vepra penale.
“Dhe krimi do të humbasë terren kur të dërgojmë një prokurore në Zyrën Ovale, në vend të një të dënuari për vepra penale”, tha Presidenti Biden.
Ai përmbylli fjalimin me një mbështetje të plotë për zonjën Harris, duke riafirmuar rolin e tij si një udhëheqës demokrat që mund ta shpëtojë vendin sërish, por këtë radhë duke kaluar stafetën.
“Joe, faleminderit për udhëheqjen tënde historike, për një jetë të tërë në shërbim të vendit tonë, dhe për gjithçka tjetër që do të vazhdosh të bësh. Të jemi mirënjohës përgjithmonë”, tha kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris./VOA